Gjithmonë në aksion, asnjë dështim. Ky është snajperi britanik që nuk ka dështuar në asnjë nga objektivat e tij. Ushtaraku ka vrarë deri tani 47 kamikazë dhe ka mundur të gjuajë deri në largësinë 1.4 km.
Daily Mail i ka kushtuar një artikull snajperit, por pa zbuluar emrin e tij, pasi mund t’i rrezikohet familja.
Tabloidi e përshkruan si një makineri vrasëse. Ai është mburoja e 250 trupave britanike të vendosura në Al Asad, bazë ushtarake e vendosur në Irak, që sulmohet vazhdimisht nga Shteti Islamik.
Snajperi ka një vend sekret ku qëndron i maskuar duke pritur çdo armik që i afrohet bazës. Deri tani konfirmohet se ai ka hequr qafe 47 kamikazë që kanë tentuar të vetëhidhen në erë pranë bazës së tij.
Ka ndodhur më shumë se njëherë që kamikazët janë infiltruar mes trupave irakiane në tentativë për t’iu afrar bazës duke qëlluar me murtaja.
Ai thotë: “Ne duhet të jemi të parët që qëllojmë dikë që afrohet shumë pranë nesh. Por askush nuk ka guxuar të afrohet”
Baza ushtarake britanike ndërkohë ka në mbrojtje një tjetër bazë ku qëndrojnë 2 mijë ushtarakë, mes tyre dhe trupa amerikane e daneze.
“Ne shohim çdo detaj para se të qëllojmë. Veshjen, ecjen, çfarë mban në duar, çfarë përpiqet të nxjerrë nga rrobat. Nuk duam të gabojmë dhe të vrasim të pafajshëm”, thotë snajperi.
“Nuk dua të jem një ushtar që nuk bën punën e tij. Unë kam 20 vjet në misione dhe kjo është ajo për çfarë jam trajnuar të bëj”, thotë snajperi ndërsa pyetet nëse ka keqardhje për vrasjet që kryen.
Turnet e tij arrijnë deri në 12 orë, derisa dikush tjetër ta ndërrojë.
“Por ndodh që mbroj civilët. Jam vendosur në një zonë që kërcënohet nga kamikazët dhe unë ruaj jetën e tyre”.
Misioni më i vështirë ka qenë ai ku ka qëndruar në një çati për 24 orë, përcjell Shqiptarja.
“Qëndruam një natë dhe një ditë dhe ishte e vështirë sepse mes kaosit të njerëzve që lëviznin duhet të gjuanim talebanin për të cilin kishim informacione se do të sulmonte. E ekzekutuam pas 24 orësh”.
Ky është misioni i fundit në 20 vite karrierë ushtarake, 13 prej të cilave si snajper. Më në fund ai do të kthehet në shtëpi përgjithmonë.
“Më vjen mirë që të gjithë si bazë do të rikthehemi shëndoshë e mirë në atdhe”, thotë snajperi./a.m.