Të dhënate nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (AKEP) tregojnë se, në sektorin e telefonisë së lëvizshme thirrjet brenda rrjetit zbritën në 58% gjatë tremujorit të tretë 2016.
Deri dy vjet më parë, gati 90% e komunikimit me celular kryhej brenda të njëjtit rrjet, për shkak të diskriminimit në tarifa që të gjithë operatorët aplikonin. Duke ofruar tarifa shumë të ulëta brenda rrjetit dhe shumë të larta jashtë rrjetit, në veçanti operatorë më të mëdhenj tentonin të mbanin përdoruesit brenda rrjeteve të tyre.
Kjo u bë edhe shkak që shumica e individëve të përdornin më shumë se një numër celular. Pas një hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës dhe rekomandimeve të dala prej tij, AKEP vendosi që nga fillimi i vitit të kaluar të ndalonte diferencimin e tarifave me pakicë, pavarësisht nga rrjeti ku terminohej thirrja.
Pra, operatorët janë të detyruar të aplikojnë tarifa të njëjta dhe kushte të njëjta të paketave ofertë brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit. Përdoruesit mund të kryejnë thirrje lirshëm, pa u shqetësuar nëse personi që po marrin i takon të njëtit rrjet apo jo.
Thirrjet drejt rrjeteve të tjera celulare tashmë përbëjnë 38% të trafikut të thirrjeve dalëse nga më pak se 10% që përbënin dy vjet më parë./a.m.