Tirana do të jetë zgjuar më 29 Nëntor. Nga ora 18.00 deri në orët e para të së mërkurës hapësirat e kryeqytetit do të shndërrohen në ekspozita të përkohshme arti, duke e bërë një natë të gjatë festën e çlirimit, në konceptin e “Natës së Bardhë”, si një formë për të sjellë artin më pranë njerëzve në hapësirat publike.
Në Muzeun Historik Kombëtar do të qëndrojë e hapur ekspozita e çelur në 104-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, me flamuj, bustet e disa prej anëtarëve të Qeverisë së përkohshme të Vlorës, penën historike të firmosjes së aktit të Pavarësisë si edhe objekte të tjera origjinale të kohës.
Në skenën e TKOB do të ngjitet sërish opera “Skënderbeu” nga Prenk Jakova, interpretuar nga artistët lirikë.
Edhe GKA do të hapë dyert nga ora 18.00 deri në orën 2.00 të mëngjesit për t’i ofruar vizitorëve akses në të gjitha sallat.
Teatri i Metropolit do të mirëpresë vogëlushet në një koncert festiv paraditen e së martës, ndërsa gjatë ditës do të ketë shfaqje me filma vizatimorë nga kinemaja shqiptare.
Arena e Cirkut Kombëtar do të presë 50 artistë e akrobatë me numra ekuilibri, iluzioni dhe kërcime, në një spektakël për të gjitha moshat./tch/a.k