Nuk ka fitues kryendeshja e javës së dhjetë të Kategorisë së Parë. Në Berat, Tomori dhe Lushnja u ndanë në një barazim pa gola në një nga dy duelet që i dhanë fund kësaj xhiroje ndeshjesh në Grupin B.
Ky rezultat lë më të kënaqur lushnjarët, të cilët mbeten të pamposhtur në kampionat. Skuadra e Artan Banos udhëheq me 24 pikë, gjashtë më tepër se Tomori.
Ndërkohë, Elbasani e ka fituar 2-1 derbin me Turbinën duke marrë suksesin e dytë brenda tri ditësh pas atij ndaj Pogradecit.
Takimin e zhvilluar në Peqin e zhbllokoi Luta i Elbasanit dy minuta para pushimit, ndërsa Daci riktheu baraspeshën në të 66-n. 11 minuta para fundit, Toçi realizoi golin me vlerën e tri pikëve për verdheblutë, i ndihmuar nga një gafë e portierit cërrikas Saraçi. Ky i fundit, në vend që ta nxirrte jashtë topin pas gjuajtjes së lojtarit kundërshtar nga loja e ndaluar, e devijoi në portën e vet.
Për Turbinën kjo ishte ndeshja e gjashtë radhazi pa fitore dhe ekipi i Altin Rrakllit ndan vendin e fundit me Sopotin, me vetëm tetë pikë. Kurse Elbasani ngjitet i gjashti në kuotën 12.
Pas ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti, u shpreh:
“Ishim të përgatitur mendërisht për këtë ndeshje, pasi derbi ka më tepër grindë sesa taktikë. Vinim me moral të lartë pas fitores me Pogradecin. Sot donim patjetër fitore edhe si një hakmarrje personale pas humbjes që pësuam ndaj Turbinës në javën e parë. Synojmë të mbledhim sa më shumë pikë në ndeshjet e radhës, për të rikuperuar ato që kemi lënë rrugës. Deri në janar do të vijojmë bashkëpunimin me bashkinë, më pas pritet të vijnë anglezët. Një qytet si Elbasani nuk e ka vendin këtu, por në elitë, megjithë respektin për ekipet e tjera. Jemi me shpresë se do të rikthehemi aty ku na takon”./panorama/a.k
RENDITJA
Lushnja 24
Tomori 18
Bylis 16
Shkumbini 15
Apolonia 13
Elbasani 12
Dinamo 10
Pogradeci 10
Sopoti 8
Turbina 8