Policia e Vlorës ka dhënë të tjera detaje më të zgjeruara të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme në Lungomare të Vlorës, ku humbi jetën 17 vjeçari Kristi Panajoti.
Policia thotë se shkak për aksidentin është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të automjetit BMË X6, 21 vjeçarit Petro Beja. Policia shkruan se është kërkuar arrestimi i të riut i cili ka mundur të shpëtojë me vetëm një plagosje nga aksidenti.
Gjithashtu policia shton se janë marrë në pyetje edhe drejtuesit që janë përgjegjës për punimet në këtë aks të Lungomares.
NJOFTIMI
Më datë 27.11.2016, rreth orës 23:00, në aksin rrugor Ujë i ftohtë – Skelë, automjeti tip “BMV-X6” me targë AA 010 AU, me drejtues shtetasin Petraq Beja, ka humbur kontrollin dhe ka rënë në një gropë në trashenë e rrugës, në të cilën kryheshin punime për rikonstruksionin e rrugës.
Për pasojë, është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit si dhe pasagjeri (i afërmi i tij), shtetasi K.P., 18 vjeç, banues në Vlorë, i cili për shkak të dëmtimeve të rënda në trup ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal.
Në vendngjarje përveç grupit hetimor, ka qenë prezent edhe Prokurori i cili ka marrë drejtimin e hetimeve në lidhje me aksidentin me pasojë vdekjen e një shtetasi.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se firma fituese e tenderit për rregullimin e rrugës është Firma Greke “INTRAKAT – sh.p.k”, ndërsa ajo që ka marrë përsipër kryerjen e punimeve është firma “XH.E.M – sh.p.k” me president I.Bega dhe administrator F. Merkaj.
Gjithashtu, drejtuesi i mjetit shtetasi Petraq (Petro) Beja, 21 vjeç, banues në Vlorë, ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën, ndaj të cilit Policia ka ngritur një masë arresti për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Grupi hetimor përvec hetimeve të tjera për zbulimin e shkaqeve dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit, ka thërritur për të marrë në pyetje përfaqësuesit dhe punonjësit e firmës Nën/Kontraktore “XH.E.M – sh.p.k”, e cila kryen punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge.
Materialet do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të firmës nën/kontraktore, në pritje të konkluzioneve që do të dalin nga ekspertët dhe nga hetimi i mëtejshëm, i cili do të përcaktojë shkaqet e vërteta të aksidentit./java/a.k