Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilloi një vizitë dy ditore në Kosovë me ftesë të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli.
Ministrja Kodheli, duke uruar ministrin Demolli për “Ditën e Forcës”, vlerësoi arritjet e FSK-së të realizuara në një periudhë kaq të shkurtër kohore dhe nënvizoi se “Bashkëpunimi i të dy ministrive në fusha të ndryshme do të jetë gjithmonë prioritet për ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë”.
Kodheli theksoi se “Shqipëria do të angazhohet konkretisht të ndihmojë FSK-në dhe Kosovën për integrimin euroatlantik, si dhe të ndihmojë në axhendat dhe procedurat aplikuese që edhe Kosova të jetë pjesë e Kartës së Adriatikut A-5”.
Gjithashtu Ministrja Kodheli u shpreh dhe mbi mundësinë e trajnimeve të pjesëtarëve të FSK-së në Qendrën Trajnuese të Ekselencës së NATO-s që do të ngrihet në Shqipëri. Ndërkaq, z.Lutfi Haziri, kryetar i Komunës Gjilan, duke përshëndetur ministren Mimi Kodheli për këtë vizitë, nënvizoi se “Kodheli është e lidhur që herët me çështjen e Kosovës”, raporton express.
Para anëtarëve të Kuvendit Komunal në Gjilan, Kodheli tha se për historinë e kësaj treve të lashtë, që ndodhet në një qoshe të Kosovës, ka pasur mundësi të dëgjojë e mësojë shumë nga shkrimet e Sami Frashërit, që kur ishte në shkollën e Tiranës. Duke hedhur një vështrim mbi gjendjen aktuale të shqiptarëve në Ballkan, ajo tha se ditët e mira nuk kanë ardhur ende për kombin tonë, por që ajo kohë të mos vonohet tepër, ministrja Kodheli ka kërkuar të punohet së bashku.
Më herët, ministrja Kodheli ka zhvilluar një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Giovanni Fungo.
Të dy bashkëbiseduesit e cilësuan KFOR-in si një histori suksesi të NATO-s, prania e së cilës në Kosovë, kontribuon në paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit. Sa i përket sfidave të reja të sigurisë, të dy personalitetet ndanë mendimin se terrorizmi është shndërruar në një rrezik real jo vetëm për Evropën, por edhe më gjerë.
Ministrja Kodheli konfirmoi dyfishimin e prezencës sonë në KFOR. Ndërkaq, ministrja Kodheli mori pjesë në një pritje në ambientet e “Film City”, qendër e KFOR-it në Prishtinë, me rastin e festës të Pavarësisë. Përveç kontingjentit ushtarak të Shqipërisë, morën pjesë edhe përfaqësues të kontingjenteve të vendeve të tjera. Morën pjesë gjithashtu ministri i FSK, Haki Demolli dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi.