Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, do të qëndrojë në Beograd më 12 dhe 13 dhjetor, ku do të bisedojë me krerët shtetërorë serbë, ka bërë me dije për të përditshmen “Politika, Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Çepurin.
Sipas tij, Lavrov do të takohet me presidentin serb, Tomislav Nikolliq, me kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, dhe me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç.
Sipas Çepurinit, bisedat do të prekin çështjet aktuale botërore, por edhe gjendjen në rajon.
“Rusia vazhdimisht e ka përkrahur Serbinë faktikisht në të gjitha çështjet, natyrisht edhe në ato kyçet, siç janë Kosova dhe Metohia dhe Republika Serbe. Në rend dite janë edhe marrëdhëniet bilaterale”, ka thënë Çepurin, transmeton Koha.net.
Në konstatimin e gazetarit se Beogradi ndjek politikë të proklamuar të neutralitetit ushtarak, por se nga pala ruse herë pas here mund të dëgjohet se Moska nuk është e kënaqur me kontaktet e shpeshta mes Serbisë dhe NATO-s, ambasadori i Rusisë thotë:
“I respektojmë qëndrimet politike të Serbisë për neutralitet ushtarak”, ka thënë shkurt Çepurin, citohet Koha. (b.an)