Manastiri Bajska u ngrit mes viteve 1313-1317 nga Milutini në gërmadhat e një kishe më të vjetër, shkruajnë vetë autorët serbë. Raste të ngjashme ka shumë që shpalosin historinë e përvetësimit të monumenteve. Pos kësaj, dëshmojnë se me mbindërtime sundimtarët serbë synuan ta ndërronin historinë.
Kisha e Levishës në Prizren ka pasur një dekor të pasur të gurëve të ndërtuar në mënyrë të veçuar për Selanikun. Në Manastirin e Bajskës të mbretit Milutin, ku gjendej një kishë e rëndësishme e vjetër, gjenden ende pjesë mermeri të zbukuruara të shekujve IX-X, shkruan Enver Rexha, në pjesën e pestë të serisë së shkrimeve për historinë e kishës dhe e monumenteve kishtare ortodokse në Kosovë nga shekulli XIV deri në shekullin XX.
Po ashtu, në Bajskë gjenden pjesë guri me reliev të ndërtuar në mënyrë pararomanike-modeli bregdetar, por nuk është e qartë se a u takojnë shekujve IX-XI, apo janë më të reja. Dallohen dekorimet e gurëve të Bajskës nga koha e Milutinit edhe nga guri (përbërja), si dhe nga mënyra e gdhendjes, shkruan S. Nenadoviç në librin “Bogorodica Ljeviška”, botuar në Beograd më 1963.
Bajska (Mitrovicë) ngrihet mes viteve 1313-1317 nga Milutini në gërmadhat e një kishe më të vjetër, shkruhet në librin “Kosovo nekad i danas” e në “Spomeničko Nasleđe” shkruhet: “Në vendin e Tempullit të Vjetër ngrihet Manastiri Bajska ndërmjet viteve 1312 dhe 1316”. Raste të ngjashme ka shumë. Kësisoj, historiani serb V. S. Jovanoviç shkruan se Kisha e Arkangjelit, sipër Prizrenit, u ndërtua nga Dushani në mbetjet e Kishës së Krishterimit të Hershëm (shek. IV-VI, E. R.).
Në vendin ku Dushani në vitin 1343 vendosi të ngrinte Manastirin (Manastirin e Arkangjelit, E. R.) […], veçse ekzistonte kisha e Sh. Arkangjelëve e krishterimit të hershëm, R. Grujiç, në librin “Otkopavanje Svetih Arkanđela kod Prizrena”. Edhe në “Kosovo nekad i danas” shkruhet se Kisha Shën Arkangjeli afër Prizrenit u ndërtua mbi gërmadhat nga Dushani mes viteve 1348-1352.
Manastiri i Sh. Arkangjelëve në Prizren është një kompleks me hapësirë 6.500 metra katrorë, i cili ndodhet në rrjedhën e lumit Bistrica të Prizrenit, tri kilometra nga Prizreni, citohet Koha. (b.an)