Nga sot, afro 6 mijë banorë të Gradishtës në Bashkinë e Divjakës do të mund të marrin shërbimin shëndetësor Parësor pranë zonës së tyre të banimit. Në saj të bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë, Shoqatës “GjysmëHëna e Kuqe” dhe Bashkisë së Divjakës u bë i mundur ndërtimi i një Qendre Shëndetësore bashkëkohore dhe moderne. Të pranishëm në ceremoninë e përurimit të qendrës ishin Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, Drejtori i shoqatës “GjsmëHëna e Kuqe”, Hamad Ben Abdennabi, si dhe banorë të zonës.
Në fjalën e tij, Ministri Beqaj u shpreh se për banorët e Gradishtës kjo është një ditë e shënuar duke theksuar se sa më pranë të vijmë tek qytetarët me infrastrukturë, aq më mirë arrijmë t’ju shërbejmë atyre. “Është një ndihmë për komunitetin, na mundëson neve t’ju shërbejmë më mirë, i mundëson mjekët dhe infermierët të mund të shprehin më të mirën e tyre, dhe unë besoj, se gjithë reformat e ndërmarra këto tre vjet, që sigurisht kanë patur kostot e tyre, ka ardhur momenti që qytetarët ti prekin rezultatet, dhe unë besoj se edhe ajo çfarë qeveria vendosi që të shpërblejë më mirë financiarisht mjekët dhe infermierët vitin e ardhshëm, është edhe një shenjë mirënjohje jo vetëm punën që bëjnë, por edhe për mbështetjen që i kanë dhënë reformave”, u shpreh kreu i shëndetësisë.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, shprehu vlerësime për ndërtimin e Qendrës Shëndetësore të cilën e cilësoi moderne dhe të plotësuar me të gjitha pajisjet e nevojshme. Ndërsa drejtori i Shoqatës “GjysmëHëna e Kuqe” falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Bashkinë Divjakë për bashkëpunimin e treguar për ndërtimin e kësaj Qendreje Shëndetësore, teksa shtoi se organizata që ai drejton do të vijojë të mbështesë projekte të tilla edhe në të ardhmen.
Qendra Shëndetësore, e cila kushtoi rreth 45 milion lekë, është e pajisur me dhomat e konsultorit të nënës dhe fëmijës, e cila siguron mbulimin me vaksinim të afro 900 fëmijëve, si dhe vizitat e grave shtatzënë, duke u dhënë atyre ndihmën dhe informacionin e duhur. Gjithashtu, kjo Qendër Shëndetësore është e pajisur me dhomën e injeksioneve dhe ndihmës së parë e kompletuar me pajisjet e reja. Në shërbim të banorëve të kësaj zone do të jenë 2 mjekë dhe 7 infermierë.