Delegacioni i Qeverisë dhe i Kontrollit të fluturimeve të Serbisë e të Malit të Zi po përgatitet për mbledhjen që do të mbahet më 14 dhjetor në selinë e NATO-s në Bruksel, shkruan e përditshmja e Beogradit “Novosti”, transmeton Koha.net.
Sipas kësaj gazete në këtë mbledhje do të diskutohet për kontrollin e shtresës së poshtme të hapësirës ajrore mbi Kosovën (dhe Metohinë – siç e quan Beogradi shtetin tonë) dhe për mundësinë që kjo t’i kthehet në duar Serbisë.
Qielli mbi Kosovën që nga viti 1999, në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës, kontrollohet nga KFOR-i dhe për shtresën e poshtme të hapësirës ajrore (nën 8.000 metra) kompetent është komandanti i misionit të NATO-s ndërsa në praktikë këtë pjesë të punës e kryen kontrolli i përkohshëm i fluturimeve nga kulla në Prishtinë.
“Kërkesat tona janë gati dhe qëndrimi është i qartë. Do të bëjmë të pamundurën të mbrojmë hapësirën tonë”, citon “Novosti” të ketë deklaruar drejtori i Kontrollit të Fluturimeve të Serbisë e të Malit të Zi, Radojica Rovçanin, i cili do të jetë pjesëmarrës në mbledhjen e Brukselit.
Se Beogradi dhe krerët e NATO-s po e shqyrtojnë këtë temë, ka konfirmuar edhe kryeministri Aleksandar Vuçiç, i cili të mërkurën, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës, Stoltenbergun, tha se ka biseduar rreth shtresës së poshtme të hapësirës ajrore në Kosovë dhe se ekspertët e të dy palëve së shpejti do të takohen dhe se beson të ketë zgjidhje pozitive.
Kur është fjala për shtresat e sipërme të hapësirës ajrore, KFOR-i më 2014 kontrollin ia ka deleguar “Hungarkontrollit” hungarez, i cili ka kontratë për pesë vjet, ndërsa pas skadimit të saj pritet një thirrje e re publike për “kontrollorët”, në të cilën mund të konkurrojë edhe Kontrolli i fluturimeve të Serbisë e të Malit të Zi..
Çështjen e kontrollit të pjesës së poshtme të qillit, Beogradi e konsideron statusore. Dhe pas përpjekjes së Prishtinës që këtë temë ta “spekulojë” në dialogun e Brukselit, sipas “Novostit”, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq,ka thënë se kjo përket “sovranitetit dhe integritetit territorial”, ndërsa pozicioni i Serbisë në lidhje me të është e përkufizuar me Kushtetutë, përgatiti Koha. (b.an)
.,.