“E premtja e zezë”, eventi vjetor pas Ditës së Falenderimeve, ka bërë që shumë njerëz të vihen në rradhë për të përfituar nga uljet e mëdha të çmimeve në dyqane e supermarkete. Analistët presin që gjatë kësaj dite, blerësit të shpenzojnë plot 2 miliardë dollarë, ndërkohë që dyqanet do të vijojnë të kenë çmime të ulëta edhe për ditët në vijim. Fitimet e mëdha të këtij viti do të ndihmohen edhe nga shitjet online, një mënyrë blerjeje gjithnjë e më shumë e pëlqyer.
Turma blerësish pushtuan dyqanet për të përfituar nga uljet e çmimeve me rastin e “të premtes së zezë”, ulje të cilat tradicionalisht, fillojnë që në Ditën e Falenderimeve. Popullariteti i madh i këtij eventi, bën që çdo vit, mijëra persona të vendosen jashtë dyqaneve, për të patur mundësi të jenë të parët në rradhë që do të përfitojnë nga uljet e mëdha.
Shitjet e “të premtes së zezë” të këtij viti, pritet të kalojnë shifrën e 2 miliardë dollarëve, sipas analistëve. Shitjet e vitit të kaluar kapën shifrën e 1.9 miliardë dollarëve, por shitësit tashmë po kërkojnë ta zgjasin këtë event për disa ditë me rradhë. Teksa pritet që vetëm gjatë ditës së sotme të shpenzohen më shumë se 2 miliardë dollarë, totali për të paktën katër ditët e ardhshme, pritet të kalojë shumën e 4 miliardë dollarëve, pasi në fitime do të përllogariten edhe shitjet online. Gjithnjë e më shumë, “e premtja e zezë” po kthehet në një burim fitimi mes internetit, pasi pritet që më shumë se gjysma e shpenzimeve të vijë nga shitjet online.
“E premtja e zezë” pasohet nga “e hëna kibernetike”, ku gjithashtu ofrohen ulje çmimesh për blerësit online. Fitimet e mëdha nga këto shitje janë inkurajuar edhe nga fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, pasi nga mesnata deri në orën 22:00 të enjten, blerësit kanë shpenzuar plot 1.15 bilionë dollarë. Sezoni i blerjeve të fundvitit që zgjat përgjatë nëntorit dhe dhjetorit, është një periudhë kyçe për shitësit, sepse fitimet gjatë këtyre dy ditëve, janë përgjegjëse për 20% – 40% të shitjeve të tyre vjetore. Federata Kombëtare e Shitjeve pret që totali i fituar në fund të këtij sezoni të rritet me 3.6% këtë vit, dhe të kapë shumën e 655.8 miliardë dollarëve./oranews/a.k