Trafikantët e drogës qëndronin gjithë kohën nën ethe nga frika se mos plantacionet zbuloheshin nga policia. Për kishin marrë masa si ditën e natën të mbanin nën vëzhgim çdo makinë që hynë në zonën ku vepronin. Përgjimet e grupit të trafikantëve në Kurbin ku i përfshirë rezultonte dhe një oficer policie sjellin të tjera detaje mbi mënyrën sesi operohej për t’u mbrojtur nga operacionet blic të policisë.
Pjesa e përgjimeve e siguruar nga Shqiptarja.com zbardh momentin kur FNSH është ngjitur pranë stanit ku ndodheshin parcelat e drogës, ndërsa biznesmeni Lefter Nelaj kontakton personat e grupit për të mësuar se deri ku ka arritur të zbulojë policia. Pjestari i grupit me emrin Alban i tregon se janë duke monitoruar FNSH nga mali.
Përgjimet
Lefteri kontakton Albanin, i cili thotë se do të dalë te lopët për qejf. Lefteri e pyet se kush ka ardh atje.
Albani sqaron: Po janë fut malit, nuk jemi duke i dhënë dum. Furgonat janë në sektor të pestë.
E sqaron se ata janë futur natën sipër.
Lefteri e pyet: Ku janë tani makinat e punës?
Albani: Nuk dimë gjë se janë shpërndarë. Nuk kanë shkuar në destinacione në asnjë vend, por janë shpërndarë, dmth dhe janë në drejtime të paditura. Ka has dikush në rrugë me to, është fsheh natën duke zbardh drita. Janë fut lart…shtëpisë sime.. por çfarë drejtimi kanë marrë, unë nuk di gjë.
Në orën 09:13 Lefteri me numër xxxxxx922 kontakton Albanin me numër xxxxxx419 i cili e pyet së çfarë thotë personi i tretë, (polici). Lefteri i thotë se nuk di gjë, nuk po merr vesh sesi kanë ardhur dhe çfarë kanë bërë.
I kërkon Albanit, nëse ka njeri atje të rrijë dhe të shohë.
Albani: E kam bërë ka herë unë atë punë. Që kur e kam marrë vesh.
Lefteri: Shif kush dreqin janë ato, tonët a? Kush dreqin janë..
Albani i thotë se kanë ardhur mbrëmë natën kanë parkuar dy makina, një fuoristradë dhe një tjetër e atyre.
Më vonë biseda vazhdon: Dhe ka has dikush në rrugë, te ujësjellësi te ajo kabina kah nalt, për shtëpinë time poshtë dhe është përplas me to. Albani e sqaron më tej: Po i kanë larguar makinat se fola me Nikollën tonë atje lart. Kanë ardh tha natën vonë shumë. Ka ardh njëri duke zbrit poshtë me ik në punë të vet dhe është përplas me to…Aty nuk dihet e vërteta se është fsheh ai dhe nuk ka parë çfarë drejtimesh ka marrë. Se nuk i ka pa. Ata janë fut malit me prit me shku për baza ose janë shpërndarë, ose kanë bënë rojë kund për pika me i pa. A futet kush për pika duke punuar a jo.
Lefteri i thotë të rrijë aty dhe kur të vijnë ata.
Albani: Emri im dhe këtyre çunave ka arrit atje.
Lefteri: Po çfarë lidhje ka, rri atje larg dhe shiko kush është ndonjë.
Albani: Po, pa merak se kam vënë dy veta janë duke parë nga kodrat. Unë u nisa me mend me dalë vetë, por po vij poshtë.
Në orën 09:36 Lefter Nelaj telefonon Albanin që i tregon se makinat e policisë ndodhen aty, është një makinë e bardhë, një furgon i FNSH dhe një furgon i madh. Lefteri e pyet nëse ajo e bardha është makinë pune. Albani: Është nga ato të voglat.
Lefteri: Po vij aty ku je ti
Në orën 09:41, Lefter Nelaj telefonohet nga Albani, i cili i tregon se po dërgon NIkollën deri atje pasi ka kaluar njëri dhe e ka ndaluar. Gjithashtu i tregon se është duke parë dhe atje tek sheshi janë dy fuoristrada, një e zezë dhe një e bardhë.
Lefteri: Janë te sheshi apo janë parkuar për ftesën e dasmës
Alani i pohon dhe i thotë se në makinë janë vetëm dy shoferët por se tani do të nxjerrë Nikollën që ti shohë më mirë.
Operacioni
Gjatë operacionit që u zhvillua para 5 ditësh në Kurbin në të cilin u prangos dhe efektivi Zan Kasmi, policia e shtetit mundi të sekuestrojë 182 kg kanabis dhe 28 mijë rrënjë kanabis në proçes tharje.
Sipas hetimeve ka rezultuar se në dy raste efektivi Zan Kasmi ka njoftuar trafikantët për kontrollet e policisë në zonë dhe ata kanë mundur t’i shpëtojnë arrestimit.
Ky grup i konsideruar si ndër më të mëdhenjtë në kultivimin e drogës në Malësinë e Kurbinit punonte për llogari të biznesmenit Lefter Nelaj tashmë i arrestuar. Lefter Nelaj kontrollohej me telefon nga Lavdim Nelaj që jeton në Itali.
Plot 14 operacione policore ka investuar Policia e Shtetit për të goditur grupin në të cilin efektivi Kasmi tradhëtonte kolegët e tij, ndërsa pas 5 muaj përgjime është mundur të faktohet dhe dekonspirimi i operacioneve.
Në pranga kanë rënë Lefter Nelaj, Hashim Nelaj, Elton Haxhia, Bashkim Kodra, efektivi i policisw Zan Kasmi, si dhe Sami Balloku e Aldo Xhaferri.