Nipi i Myslym Pezës, Sokol Peza, i cilëson sajesë dokumentet e dala nga arkivat e huaja, sipas të cilave, Kajo Karafili i ka prerë kokën një inxhinieri italian në Pezë. Sipas tij, Kajo Karafili nuk njihej fare me Nexhmije Hoxhën e jo më të merrte urdhra nga ajo, e cila në atë kohë ishte një partizane e thjeshtë. Ja çfarë thotë ai në një intervistë për Panorama.
Janë bërë publike disa dokumente nga arkiva të huaja, që dëshmojnë për një ngjarje makabër në Pezë, me personazhe Kajo Karafilin dhe Nexhmije Hoxhën. Është folur për këtë episod në familjen e gjyshit tuaj?
I lexova dhe e them me plot gojë se këto janë përgojime shumë të ulëta që u bëhen heronjve të popullit si Kajo Karafili, nga ata që i kthyen kurrizin luftës dhe bashkëpunuan me pushtuesin e huaj. Kajo Karafili ka qenë një figurë e madhe e lëvizjes, i cili dha edhe jetën në luftë. Ky përgojim banal, sipas të cilëve Kajo Karafili paska vrarë një inxhinier italian që merrej me ndërtimin e rrugës dhe nuk paska luftuar në ballë të luftës si trim që ishte, dhe për këtë ka rrëfenja e dokumente për heroizmat e tij, kërkon që ta nxjerrin sot një njeri kriminel ordiner, që vriste këto që i dilte përpara.
Si i shikoni këto dokumente?
Më shumë mua më duket si sajesë shqiptarësh të ditëve të sotme dhe s’ka lidhje me Radion Europa e Lirë. Ka shumë pasaktësi dhe në vendosjen e personazheve, përtej trillimit për ngjarjen makabër. Në vitin 1942, në Pezë nuk komandonte as Nexhmija dhe as Enveri, sepse nuk kishin peshën që patën më vonë pas çlirimit të vendit. Ata ishin të deleguar në konferencë, por nuk ishin në pozitat që të jepnin urdhra dhe të komandonin. Nuk mundej në atë kohë Nexhmija që të komandonte Kajo Karafilin. Atë e urdhëronte vetëm komandanti i tij, Myslym Peza.
Unë nuk e di a e njihte Nexhmija Kajon e jo më ta komandonte. Nuk e imagjinoni dot se çfarë personazhi qendror dhe me reputacion ka qenë Kajo Karafili në atë kohë, krahasuar me Nexhmije Hoxhën. Flasim për atë periudhë kohe. Ka dhe një pasaktësi tjetër në atë shkrim. Kajo Karafili nuk ishte dhëndri i Myslym Pezës, por i vëllait Shyqyri Pezës. Një fakt historik ka që 12 ditë pas Konferencës së Pezës, ushtria italiane sulmoi Pezën, pasi u mor vesh që aty ishte bërë një konferencë e rëndësishme dhe dogji fshatin.
Ju e mohoni në mënyrë kategorike një histori të tillë, dhe pse serviret nga arkivat e huaja?
Absolutisht e pavërtetë. Si mundet të bënte Kajo Karafili një makabritet të tillë dhe që gratë e fshatit të luanin e kërcenin me kokën e tij dhe nga ana tjetër, çetat partizane të bënin thirrje që populli t’u bashkohej në luftë?! Kjo nuk ndodhte. Është non sens i madh.