Frika më e madhe e Angela Merkelit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm nuk janë rivalët politikë, por “software”-t e programuar enkas për të ndikuar opinionin publik nëpërmjet medieve sociale. Në kohën kur interneti është bërë i pandashëm nga njerëzit, ai ka një ndikueshmëri të madhe në mënyrën e perceptimit të tyre mbi çështje të caktuara. Por “virusi” i lajmeve të rreme ka përfshirë botën, ndërsa vazhdon të manipulojë opinionin publik.
“Në mënyrë që të kemi kontakt me njerëzit siç duhet apo t’i frymëzojmë ata, ne duhet të merremi me këtë fenomen dhe aty ku e shohim si të nevojshme duhet ta rregullojmë atë”, tha Merkel.
Në fjalimin e saj të parë në Parlament, që pas shpalljes së kandidaturës për një mandat të katërt si kancelare, Merkel kërkoi që t’i paraprinte rreziqeve që do e mbanin larg postit. Burime pranë saj thonë se kancelarja ka informacion të bollshëm për këtë çështje, pasi sipas 67-vjeçares ekziston skenari se mediet sociale shpërndajnë informacion të gabuar dhe hedhin baltë mbi debatin publik. Edhe kreu i Agjencisë gjermane të Inteligjencës ka ngritur shqetësimin në lidhje me ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet vendase. Lajmet e rreme janë kthyer në një model fitimprurës biznesi.
Ekspertë thonë se rrjetet sociale, si “Facebook” dhe “Twitter”, kanë luajtur rolin e tyre në zgjedhjet amerikane. Në fushatën zgjedhore përtej oqeanit, “blogger”-ët pa përkatësi politike, duke përhapur histori të bujshme dhe të rreme, fituan sasi të konsiderueshme parash. Ndërsa Gjermania është futur në një periudhë zgjedhore, Martin Schulz njoftoi se nuk do të kërkojë një mandat të tretë në krye të Parlamentit Europian. Por, ai do të kthehet në Gjermani, ku lakohet si kandidat i mundshëm i socialdemokratëve për kreun e ekzekutivit.