Emisioni “Stop” që transmetohet në Televizionin Klan, ka trajtuar rastin e një qytetareje nga Vlora, e cila rreth një vit më parë ka humbur foshnjën në javën e 39-40 të shtatzënisë. Qytetarja Marsela Zako denoncon në “Stop”, se për shkak të neglizhencës në mjekim nga ana e mjekëve, fëmija i parë i saj, ka humbur jetën në maternitetin e Vlorës. Ajo ka kërkuar të bëjë një eko, por mjekët i kanë thënë se nuk është e nevojshme, duke i bërë vetëm vizita të thjeshta dhe matje trupore.
“Jam Marsela Zako. Në datën 26 janar të vitit 2015 kam qenë në javën e 39 – 40 të shtatzënisë time dhe prisja fëmijën e parë. Jam drejtuar Spitalit Rajonal Vlorë. Aty më kanë pritur dy mjekët Marie Taboraj dhe Remzi Haxhiu. Kur kam kërkuar që të bëja një eko, ata më kanë thënë që nuk është e nevojshme. Më kanë bërë vetëm vizitat dhe matjen e peshës trupore. Në momentin që është mbledhur konsulta, askush nuk vendosi që unë të bëja operacionin çezarian, ndërkohë që duhet t’a kisha bërë sapo isha shtruar. Edhe të rrahurat e bebit janë ndjekur jo në frekuencën e duhur dhe kohën e duhur, por me vonesa. Mamia ka qenë ajo që ka konstatuar mos rrahjen e zemrës së bebit dhe ka lajmëruar mjekët. Kur kanë ardhur mjekët kanë parë, që bebi kishte vdekur në bark. Shkaku i vdekjes, pretendojnë mjekët, ka qenë kordoni i rrethuar rreth qafës së bebit dhe trupit të tij. E gjitha kjo ka ardhur për faj të mjekëve, për një mjekim të pakujdesshëm dhe një neglizhencë nga të gjithë. Unë kërkoj që të vihet një drejtësi, jo vetëm nga spitali, por edhe nga prokuroria, e cila po e mban pezull çështjen nuk po e kalon për në gjykatë.”, thuhet ne denoncimin e qytetares.
Pas kësaj fatkeqësie, zonja ka denoncuar rastin në prokurorinë e rrethit. Mjekimi i pakujdesshëm i bluzave të bardha të maternitetit të Vlorës, ka qenë një nga shkaqet kryesore, që i ka marrë jetën foshnjës së Marsela Zakos, por prokurori Saimir Smaka kërkon riekspertim të rastin. Në bazë të një ekspertize mjekoligjore thuhet se:
“Gjatë pritjes dhe trajtimit mjekësor të shtetases Marsela Zako, (nënë e bebes së vdekur në barkun e saj) vërehen elementë të mjekimit të pakujdesshëm, të formës së “nënvlerësimit” nga ana e stafit mjekësor, që ka asistuar në lindjen e foshnjës së vdekur, ku konstatojmë: moskryerjen e ekzaminimit ekografik në momentin e paraqitjes së Marsela Zako, në shtëpinë e lindjes dhe mos konstatimin e kordonit përreth qafës së bebit; mos ndjekja e dinamikës së frekuencës së RZF, ku do të evidentohej në kohë vuajta fetale, e cila do të sillte marrjen në kohë të masave të nevojshme mjekësore dhe jo në aplikimin e gabuar të uterotonikëve, të cilët e thelluan gjendjen e vuajtjes së bebit dhe në mos evidentimin në momentin e shtrimit të disproporcionit feto – pelvik, por me shumë vonesë kur është konstatuar vdekja e bebit, masa të nevojshme këto, të cilat do të indikonin qysh në momentin e shtrimit të ndërhyrjes “sectio cezarea”; mos aplikimin e uterotonikëve dhe parandalimin e pasojës së ardhur për vdekjen e fëmijës në barkun e nënës.”
Më pas gazetarja është drejtuar drejt Prokurorisë së Vlorës për të marrë një shpjegim më të detajuar në lidhje me problemin në fjalë, por ky institucion i kishte dyert e mbyllura. Dosja ka zënë pluhur, duke e mbajtur peng prokurori Saimir Smaka,pa e çuar atë në gjykatë, por investigimet e emisionit “Stop” nuk mbyllen me kaq, ato do të vazhdojnë deri në momentin, që kjo dosje të shkojë në gjykatë.
BW/d.i.