Në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe korrupsionit, sot në mesditë, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, arrestuan në flagrancë punonjësin e policisë kufitare të P.K.K. Kakavije, Inspektor Mentor Cane, si edhe shtetasin Erald Çaço, shitës me pakicë.
Të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale, të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”, të parashikuar në nenin 172, të Kodit Penal.
SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, pas një hetimi pro-aktiv 2 mujor me metoda dhe mjete speciale të hetimit, dokumentuan një linjë të kontrabandës së mallrave që paguajnë akcizë, konkretisht cigare të markës “Marlboro”.
Punonjësi i Policisë, Mentor Cane, i merrte stekat me cigare në Duty-Free-Shop në pikën doganore në anën greke të kufirit dhe duke shfrytëzuar detyrën, i kalonte ato në territorin shqiptar, duke shmangur detyrimet doganore. Më pas këto mallra i fuste në bagazhin e mjetit të tij, tip “Benz Mercedez” me targa TR 36 11 U, dhe i sillte në Tiranë tek blerësi.
Në ngarkesën e fundit, të bllokuar sot në mesditë në rrugën “Ndre Mjeda”, në kryeqytet, punonjësit të policisë Cane iu kapën 36 kuti, me nga 3 steka cigare secila.
SHÇBA ka dokumentuar për periudhën që ai ishte nën hetim, se kryente të paktën 2 ngarkesa në javë, me sasi edhe më të mëdha se rasti i kapur.
Nga ana SHÇBA-së, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kutitë me cigare, 2 automjete që u përkisnin shtetasve të arrestuar, si edhe 4 aparate telefoni celularë.