Dy firma të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit janë konfliktuar me njëra-tjetrën ditën e sotme në Vlorë. Konflikti ka përfshirë edhe pronarët edhe punëtorët. Kështu, sipas Policisë, bëhet fjalë për dy biznesmenët Ahmet Canaj dhe Ylli Salla që shfrytëzojnë një gurore në fshatin Lepenicë.
Konkretisht, ditën e sotme rreth orës 14:00, shtetasi Ahmet Canaj, në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë që dyshohen të jenë punëtor në firmen “Ana-sh.p.k” (në proces verifikimi), i kanë dalë përpara duke i bërë pritë (në rrugën për të cilën janë përfshirë në konflikt) djalit të Ylli Salles, shtetasit K.S., 17 vjeç, i cili po kalonte në këtë rrugë me mjetin e tij Kamion “MAN” me targë AA 676 MJ.
Gjatë konfliktit personat kanë qëlluar me mjete të forta (gurë, dru) në drejtim të mjetit, duke dëmtuar kështu vetëm xhamat e mjetit. Për pasojë, shtetasi K.S., është dëmtuar lehtësisht në gishtin e dorës së djathtë ndërsa personat e tjerë nuk kanë pësuar asnjë dëmtim. Policia ka shpallur në kërkim shtetasin: Ahmet Canaj, 43 vjeç, banues në Vlorë dhe punohet për kapjen e tij.
Ky konflikt midis këtyre dy firmave është i njohur nga Policia pasi ka qenë i vazhdueshëm. Gjithashtu, në lidhje me këtë konflikt, më datë 28.09.2016, është arrestuar shtetasi Vendim Dyrmishaj, për arsye se ka kanosur shtetasin Ylli Salla, për të njëjtin konflikt të theksuar më lart.
Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të Ahmet Canaj dhe 5 shtetasve të tjerë në proces verifikimi, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Vetëgjyqësia”, “Plagosje e lehtë me dashje, kryer në bashkëpunim”.
ma.me