Një masakër e vërtetë po ndodh në pyllin e Sodës në Vlorë, ku dhjetëra pisha pritën gjatë natës nga persona të pa identifikuar në mënyrë të paligjshme.
Gjatë një vëzhgimi të bërë nga Report TV, rezulton se qindra pemë janë prerë e qindra të tjera janë rrëzuar si pasojë e erërave të forta, duke e dëmtuar shumë këtë pyll, i cilësuar si mushkëria e qytetit të Vlorës.
Sikur të mos mjaftonte prerja e pemëve, pylli i Sodës është kthyer edhe në një vend depozitimi për grumbullimin e mbetjeve. Thuajse të gjitha firmat private të zonës së Vlorës mbetjet e tyre i hedhin në këtë pyll, duke krijuar pirgje mbeturinash dhe duke e kthyer këtë pyll në një vendgrumbullim plehrash.
Banorët e zonës shprehen se dikur në këtë pyll nuk gjeje as nje letër, kurse sot gjen pirgje të mëdha me mbetje . Sipas tyre, kamionë të mbushur me mbeturina, vijnë natën dhe i shkarkojnë mbetjet në pyll. Ata thonë se edhe prerja e pishave bëhet natën në fshehtësi.
Prej disa ditësh, pylli i Sodës ruhet nga policia bashkiake e Vlorës./ReportTV/a.m.