Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u takua me bashkëraportuesit për Shqipërinë në Këshillin e Evropës, Jonathan Evans dhe Andrej Hunko.
Në fokus të bisedimeve ishte ecuria e reformave kyçe, si ajo e drejtësisë të evidentuara edhe në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë në fund të 2014.
Presidenti Nishani informoi mbi hapat e hedhur deri më tani, veçanërisht në kuadër të reformës në drejtësi, duke e konsideruar atë përparësi të përparësive dhe çelës për suksesin e reformave në fusha të tjera. “Ky proces kërkon një mekanizëm plotësues ligjor, vullnet të mirëfilltë politik, si dhe ndëshkimin me të njëjtin standard të elementëve të korruptuar dhe dëmtues të sistemit si dhe siguroi se mbetet i vendosur për të bërë çdo përpjekje për ta sjellë në trajektoren dhe shpejtësinë e duhur këtë proces, duke kërkuar angazhimin dhe përgjegjshmërinë maksimale nga të gjithë aktorët me peshë”, tha Nishani.
Gjithashtu, Presidenti i Nishani priti në një takim përmbyllës ambasadoren Audrey Glover, kreu i Misionit Monitorues të ODIHR-it për zgjedhjet lokale 2015 në Shqipëri.
Gjatë takimit, Presidenti Nishani foli rreth rëndësisë që patën këto zgjedhje në Shqipëri, në kontekstin e hartës së re administrative dhe përgjegjësive të reja që pritet të marrin drejtuesit e rinj të bashkive në vend si dhe theksoi se zgjedhjet mbeten një test i përhershëm i maturimit dhe funksionimit të institucioneve dhe mekanizmave zgjedhore, klasës politike por edhe të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare.
Ndërsa, Ambasadorja Audrey Glover vuri në dukje se vullneti politik mbetet kyç në këtë proces, ndërkohë që ai mbetet i pakodifikueshëm në legjislacion. Ajo bëri me dije se bashkë me ekipin monitorues do të përmbyllin raportin në harkun e 8-10 javëve të ardhshme, duke reflektuar edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri.