Një vajzë 16-vjeçare është detyruar që nga balerinë të shfrytëzohej si prostitutë në një lokal nate në Tiranë. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se, vajza me inicialet M. D., fillimisht është punësuar si balerinë, por personat që i kishin siguruar këtë punë i gjenin edhe klientë në ambientin e klubit të natës.
Sipas informacioneve, rekrutuesi i të miturës është shtetasi Xhonatan Terpollari, 21 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit është arrestuar bashkë me shtetasin Florian Bregu, 36 vjeç, banues në Tiranë.Ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi me inicialet L. B. Më tej, policia bëri të ditur se nga kontrolli i ushtruar në lokalin e natës ku të arrestuarit ushtronin aktivitetin e paligjshëm, u konstatuan tri vajza të cilat ishin punësuar si balerina.
Balerinat
Nga verifikimet e kryera, burimet pohuan se njëra prej balerinave, M. D., 16 vjeçe, banuese në Durrës, dyshohet të jetë rekrutuar nga shtetasi Xhonatan Terpollari, e cila prej muajit korrik të këtij viti dhe shfrytëzohej për prostitucion, duke ia siguruar klientët në ambientin e klubit. Ambientet e këtij klubi mësohet se ishin vënë në dispozicion të veprimtarisë së prostitucionit, ku njëri prej aksionarëve, shtetasi Florian Bregu dyshohet të ketë nxitur dhe ndërmjetësuar që vajzat të kryejnë prostitucion.Po kështu është dokumentuar se në të njëjtën veprimtari kriminale është përfshirë dhe ortaku i tij shtetasi L. B, i cili është shpallur në kërkim policor. Sakaq, faktin se në klubin e natës ushtrohej veprimtaria e prostitucionit është pohuar edhe nga tre balerinat, të cilat janë shoqëruar në polici për të dhënë deponimet e tyre.Sipas burimeve në policinë e kryeqytetit, vajzat kanë thënë se kishin disa muaj që punonin në klubin në pronësi të Xhonatan Terpollarit dhe Florian Bregut.
Dy prej vajzave janë shprehur se janë detyruar të pranojnë ofertat që djemtë u kanë dhënë për të punuar në lokalin e natës, për shkak të vështirësisë që ato po hasnin në jetë. Ato nuk kanë pranuar të jenë rekrutuar nga shtetasit e mësipërm, duke thënë se kanë shkuar me dëshirën e tyre.Sakaq, nën praninë e psikologes, i është marrë dëshmia edhe 16-vjeçares, e cila dyshohet se mbahej pa dëshirën e saj. Pavarësisht këtij fakti, policia thotë se ajo detyrohej të ushtronte prostitucion pas kërcënimeve të pronarëve të klubit të natës.Ndërkaq, policia thotë se 21-vjeçari ka mundur ta rekrutojë atë nga qyteti i Durrësit në Tiranë, me anë të mashtrimeve. Fillimisht ai e ka punësuar atë si balerinë dhe më pas ka filluar ta shfrytëzojë për prostitucion, kundrejt përfitimit të shumave të mëdha të parave. Burimet nga policia thanë se klubi ku vajzat punonin ka një frekuentim të lartë, madje edhe nga persona të njohur. Tashmë, 16-vjeçarja me inicialet është dërguar pranë familjes së saj, e cila ndodhet në qytetin bregdetar të Durrësit. Më tej, burimet nga policia thanë se ndërhyrja në klubin e natës është bërë pas marrjes së disa sinjalizimeve që aty ushtrohej një aktivitet i paligjshëm. Policia e Tiranës vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan prokurorisë së Tiranës.
Aksioni
Ndërkohë, në disa ndërhyrje të realizuara në zona të ndryshme të kryeqytetit këtë fundjavë, agjentët e antidrogës kanë arrestuar në flagrancë 5 persona, të cilët shpërndanin lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.Sipas burimeve të policisë, të arrestuarit janë shtetasit Arif Kostenja, Erjon Rrodhe, Hamdi Dervishi, Elton Çeliku dhe Fatos Rama, të moshave nga 35 në 25 vjeç, të pestë banues në Tiranë.Ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy doza me lëndë narkotike të llojit kokainë dhe 10 doza të tjera të llojit kanabis sativa. Këto doza, ata i shpërndanin nëpër lokalet e natës në kryeqytet. /shekulli /ma.me