I pranishëm në komision ishte vetëm Çako, ndërsa përveç Visho Ajazit, mungoi edhe Saimir Tahiri. Kreu i komisionit, Flamur Noka, u shpreh se ministri i Brendshëm është thirrur tre herë nga komisioni. Ai tha se Tahiri do thirret në komision me polici, njësoj siç ka bërë komisioni për CEZ-in për ish-kryeministrin Sali Berisha.
“E kemi thirrur 3 herë Tahirin. Dy herë na tha që është jashtë, ndërkohë TIMS fakton që ka qenë brenda territorit. Shkresa e fundit është dërguar sot, ndërsa ministri nuk denjoi të rrinte në Komision të Sigurise duke ikur si halabak. Të njëjtën rrugë dhe me këtë komision. Do e thërrasim me polici. Do i shkruajmë letër policisë të therrasë me forcë dëshmitarin Sajmir Tahiri. Ka refuzuar 3 herë rresht komisionin”, u shpreh Noka.
Nga ana e tyre, deputetët e mazhorancës në këtë komision i kërkuan Nokës ta ndërpresë mbledhjen pasi ai ka shkelur rëndë rregulloren e Kuvendit, duke fyer kryetarin e Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Pas debateve, deputetët e PS-në lanë komisionin, ndërsa mbledhja vijoi vetëm me deputetët e opozitës.