Shqipëria nuk preket nga kriza greke dhe ajo që mund të ndodhë me shtetin helen pas mbajtjes së referendumit këtë të dielë. Pohimi është bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Ministri i Financave Shkëlqim Cani ditën e sotme gjatë një konference për shtyp.
Në fjalën e tyre përfaqësuesit e FMN-së theksuan se vendi ynë ka një risk të ulët në lidhje me atë që po ndodh në Greqi.
“Sistemi bankar shqiptar ka likuiditet të mjaftueshëm dhe nuk presim asnjë efekt nga kriza greke që mund të kërkojë ndërhyrjen e qeverisë shqiptare. Duhet thënë se bankat me kapital grek ndër vite kanë humbur ndikimin e tyre të madhe në Shqipëri”, tha kreu i FMN-së, Nadeem Ilahi.
Sa i përket eksporteve, vëllimi i ulët i tyre drejt tregut grek nuk sjell ndikim të madh.
“Vëllimi i eksportet shqiptare drejt Greqisë janë të pakta, dhe kjo nuk pritet të ketë ndikim në Shqipëri, ose ka një risk shumë të ulët”, deklaroi kreu i FMN-së.
FMN thotë se Qeveria ka përmbushur objektivat e caktuar në kuadër të programit, përveç mosrealizimit të të ardhurave fiskale sipas planit për periudhën janar-maj të këtij viti, ku shkaku kryesor ka qenë ulja e çmimit të naftës.
Edhe ministri Cani përjashtoi efektet nga kriza greke.
“Efektet e situatës greke në ekonominë shqiptare janë nën kontroll. Së pari, sepse ajo që po ndodh në Greqi, nuk është e re. kemi 5 vjet që ekonomia jonë përshtatet me këtë gjendje dhe aktorët ekonomikë shqiptare kanë arritur të përshtasin planet e tyre për investime apo tregtime të tjera”, tha Cani.
Një nga sektorët që mund të preket më shumë nga një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona, është ai i eksporteve, por edhe këtu ndikimi është i kufizuar.
“Ulja e fuqisë blerëse në Greqi mund të ndikojë në eksportet tona, por është një çështje për t’u parë me kohë. Ne supozojmnë që do të ulet kërkesa për mallrat shqiptare, megjithatë nuk bëhet fjalë për një ndikim të madh pasi kemi vetëm 5.3 për qind eksporte drejt Greqisë”, sqaroi ministri i Financave.