Në atentatin e ndodhur pasditen e së dielës në aksin rrugor Fier-Seman mbeti i plagosur shtetasi Ari Halinani. Sipas bluve, 38-vjeçari po drejtonte automjetin tip “Volkswagen”, kur persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi. E ndërsa mbeti i vrarë Nelgert Pata që udhëtonte si pasagjer, i mbijetoi atentatit Halinani.
Sipas hetuesve të çështjes, ky i fundit nuk ka qenë në shënjestër të autorëve të krimit. Pas ngjarjes së rëndë, policia ka marrë në pyetje 38-vjeçarin, duke shpresuar se ai do të hidhte dritë mbi atentatin. Burime pranë grupit hetimor dje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se Ari Halinani ka deklaruar se ka dëgjuar vetëm krismat dhe ka parë dy persona, të cilët janë larguar me vrap drejt një automjeti, por pa mundur të fiksojë targën e mjetit. Ndërkohë, mësohet se gjatë marrjes në pyetje, 38-vjeçari ka pohuar se nuk e njihte viktimën, por ishte thjesht shofer i tij.
“Personin që mbeti i vrarë nuk e njihja. Unë isha thjesht shofer i tij. Të dielën, pak para se të ndodhte ngjarja, ai më thirri e më tha: ‘Eja më shoqëro deri diku’. Nuk më tha se ku do të shkonim, mbase do të më tregonte gjatë udhëtimit. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Personi që ishte në makinë me mua mbeti i vdekur në vend, ndërsa unë u plagosa. Në atë moment isha i terrorizuar nga plumbat, ndërsa pashë dy persona që pas të shtënave me armë, u larguan me vrap. Nuk munda t’i njihja ata që qëlluan”, ka thënë 38-vjeçari në polici.
Ndërkaq, blutë kanë marrë në pyetje edhe persona të tjerë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në periferi të qytetit të Fierit (rreth njëqind metra larg hotelit ku ishte akomoduar viktima Nelgert Pata).
ma.me