Në Gjykatën Kushtetuese është të martën seanca e parë dëgjimore publike për ligjin e Vettingut, i kthyer tani në kusht për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Seanca e të martës nuk është vendimarrëse, sepse vendimi pritet pas 10 dhjetorit, kur Komisioni i Venecias të publikojë opinionin e vet për standardet e ligjit që bën rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në tryezën e gjykatësve janë dy kërkesa për ta shpallur ligjin antikushtetues, ajo e Partisë Demokratike dhe kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve.
Por çfarë e bën interesante çështjen, përveç rëndësisë që ka për reformën në drejtësi, është se të dyja kërkesat ngjajnë shumë me njëra-tjetrën. Duke krahasuar dy kërkesat, bie në sy se gjyqtarët, të cilët e dorëzuan disa javë më vonë se demokratët ankimimin e tyre, kanë huazuar disa paragrafe nga kërkesa e Partisë Demokratike.
Top Channel i krahasoi të dy dokumentet dhe rezultati është se ato janë identike, fjalë për fjalë në 11 paragrafe.
Gjyqtarët, njësoj si opozita dhe me të njëjtat fjali dhe shenja pikësimi, ngrejnë shqetësimin për rolin e Inspektoriatit të Pasurive gjatë procesit të Vettingut. Madje, shikohet që në këtë paragraf janë ruajtur edhe thonjëzat, kur përshkruhet marrëdhënia kushtetuese mes institucioneve për rivlerësimin.
E njëjta gje ndodh me të gjithë paragrafët e tjerë, si shembull, gjyqtarët kanë ruajtur edhe shkronjat italike, kur opozita përmend Vettingun, u kanë qëndruar sërish besnik thonjëzave të opozitës në paragrafet e tjerë, si dhe çdo detaji tjetër, që përveç përmbajtjes, bën të njëjtë 11 paragrafet e kërkesës së gjyqtarëve me atë të opozitës.
Kur të gjykojnë dy kërkesat, të paktën gjyqtarët e Kushtetueses nuk do të vonohen shumë, sepse kolegët e tyre gjyqtarë ua kanë lehtësuar punën dhe praktikisht do të gjykojnë të njëjtën kërkesë të fotokopjuar në faqet e saj më të rëndësishme./a.m.