Bashkia e Shkodrës i ka 6.4 milionë lekë të reja borxh landfillit të Bushatit për mbetjet e depozituara ndër vite atje. Shifra bëhet e ditur nga prefekti i qarkut Shkodër, Paulin Radovani, i cili i bën thirrje bashkisë që të shlyejë këtë borxh.
“Bashkia nuk e ka shlyer borxhin landfillit të Bushatit, ndërkohë që në një shkresë bashkia shprehet se i ka likuiduar të gjitha faturat që ka pasur. Pavarësisht pretendimit që kanë pasur gjithnjë drejtuesit e landfillit për të rritur tarifën për aq sa është e përcaktuar aktualisht dhe mbeturinat që Bashkia Shkodër çon në landfill, atëherë duhen paguar edhe paratë”, tha Radovani.
Sipas tij, rezultojnë në total rreth 28 milionë lekë të reja fatura të papaguara për landfillin e Bushatit, ndër to përveç Bashkisë Shkodër, edhe Bashkia Lezhë apo edhe disa ish-komuna të tjera që kanë pasur kontratë me landfillin për depozitimin e mbeturinave. Ndërkaq, prefekti Radovani i përgjigjet edhe një kërkesë që Bashkia Shkodër i ka dërguar qeverisë lidhur me situatën e vështirë nga prezenca e mbetjeve, duke kërkuar që bashkia pikësëpari të marrë përsipër përgjegjësitë e saj për borxhet dhe më pas të kërkojë në qeveri.
“Problemet e landfillit duhet që t’i lihen Bushatit dhe t’i dalin për zot Zef Hila si kryetar i Bashkisë Vau Dejës dhe Bashkia Shkodër ta ketë këtë shqetësim për mbetjet sepse është edhe morale, por në radhë të parë të kryejë detyrimet që ka ndaj landfillit, si materiale, financiare por edhe teknike që ka ndaj landfilit. Duhet ta quaj fat të madh që Shkodra ka një landfill”, deklaroi Paulin Radovani. Për prefektin, Shkodra po kthehet në një landfill të madh.
“Shkodra ka rrezik dhe po kthehet në një landfill të madh. Nga një vendepozitim mbetjesh që është në Bushat, e gjithë Shkodra po kthehet në një depozitë mbetjesh, kryesisht në lumin Kir, por edhe në zonat periferike. Mbetjet duhet të jenë shqetësimi më i madh për Bashkinë Shkodër. Është e nevojshme që nëpërmjet institucioneve të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe të përcaktohet një tarifë që e menaxhon landfillin, ndryshe landfilli nuk punon”.
BW/d.i.