Milan e Inter janë gati për sfidën e radhës midis tyre në San Siro. Do të jetë një faqe e re në historinë e gjatë që përmban kjo përballje. Nuk është thjesht një ndeshje pasi janë dhe dy klubet e përbetuara të njëra-tjetrës.
Lojtarët që kanë luajtur për të dy ekipet janë të shumtë, por një është i veçantë, bëhet fjalë për Ronaldo “Fenomenin”. Braziliani ishte një nga xhevahirët e “zikaltërve” të cilët e bënë të njohur në Europë, madje arriti të fitonte edhe topin e artë. Gjithsesi pas shumë lëvizjeve, “Fenomeni”, u bë pjesë edhe e rivalëve të qytetit, Milan. Sidoqoftë braziliani kujton me mall golat e shënuar me Interin. Më I bukuri sipas tij është pikërisht ndaj “kuqezinjve”.
“Për mua, derbi i Milanos ka qenë gjithmonë magjik, një ndeshje drithëruese dhe shumë speciale. Ndeshja që kujtoj me shumë mall është ajo e 22 nëntorit 1997. Atë takim e fituam 3-0, por mendoj se në atë duel shënova një nga golat më të bukur të karrierës. Mbaj mend Morieron që më ofron një krosim të mirë, por unë zgjodha që ta godisja fluturimthi me të jashtmen dhe doli një gol madhështor.
Stadiumi dukej sikur do shembej, kaluam 2-0 në avantazh, ndërsa Simeone mbylli në fund ndeshjen, duke festuar edhe dopietën personale. Çfarë emocionesh! Ndonëse me Interin kam shënuar edhe shumë e shumë gola të tjerë të bukur, nga ato që nuk do t’i harroj gjatë gjithë jetës”.
Braziliani gjithsesi nuk lë pa përmendur as aventurën tek Milan. Siç thotë edhe ai, ndonëse nuk shkoi mirë por kurrë nuk është pendur që zgjodhi këtë lëvizje. Madje kujton dhe një gol ndaj Interit.
“Edhe te Milani ishte një eksperiencë e bukur për mua, por fatkeqësisht aty nuk arrita që të shprehja më të mirën time. Gjunjët ishin bërë një problem i rëndë për mua dhe pas disa ndeshjesh theva edhe kroçiaton tjetër. Shënova në derbi golin e parë të takimit, ishte sërish bukur, ndonëse në fund Interi na përmbysi dhe ne milanistët u dorëzuam. Ishte një kënaqësi dhe një nder që luajta edhe për Milanin. Në një vit më mjaftoi që të njihja strukturat e atij klubi, tifozët e tyre dhe ishte bukur. Një parashikim? Nuk mund të bëj, dua dhe shpresoj ta shijoj në maksimum derbin e Milanos”.
BW/d.i.