Zbulimi i skandalit të 2 mijë pensioneve që dyshohet se janë dhënë me dokumente false nga viti 2000 e në vazhdim në Tiranë dhe rrethe është bërë nga dixhitalizimi i bazës së të dhënave të ISSH-së. Mësohet se gjatë vitit 2015, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur vendosjen në funksionim të sistemit dixhital të të dhënave për të gjithë shtetasit në marrëdhënie me këtë institucion. Për ta vendosur në funksionim të plotë sistemin në fjalë, ISSH ka marrë nga Ministria e Brendshme bazën e të dhënave në lidhje me shtetasit.
Kjo bazë të dhënash është përdorur për ndërtimin e sistemit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili kur ka hedhur të dhënat që dispononte, ka vënë re se kishte mospërputhje në datëlindjen dhe moshën e qindra personave që rezultonin “pensionistë”.
Pas marrjes së “alertit” nga sistemi elektronik i të dhënave, ka qenë sektori i auditit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore që fillimisht ka kontrolluar dosjet e qarkut Tiranë, duke denoncuar së paku 500 raste falsifikimesh e mashtrimi, që po hetohen tashmë nga Prokuroria e Tiranës. Në të njëjtën mënyrë, sipas organit të akuzës, janë zbuluar edhe të paktën 1500 dosje të falsifikuara e të manipuluara pensionesh në rrethe, për të cilat po plotësohet kallëzimi penal nga ISSH, për t’u përcjellë në Prokurori.
HETIMET
Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimet për një numër të konsiderueshëm rastesh të “pensionistëve fiktivë”, ka zbardhur pak a shumë edhe mënyrën si ka funksionuar mekanizmi kriminal në fjalë. Qytetarë të ndryshëm kanë përfituar pensione padrejtësisht, duke falsifikuar moshën, por edhe vitet e punës.
Falsifikime janë bërë edhe në dokumentet që ndikojnë në përcaktimin e llojit të pensionit. Prokuroria ka ndeshur raste të rritjes fiktive të numrit të fëmijëve që ka “pensionisti” apo vërtetime false për vite pune në miniera, me qëllim përfitimin e një shume sa më të madhe të pensionit mujor. Të gjithë këta përfitues të padrejtë, pasi të verifikohen, do të kthejnë mbrapsht me grafik paratë e përfituara padrejtësisht. Nga ana tjetër, ata do të ndiqen e po ndiqen penalisht për falsifikim dokumentesh.
ISH-PUNONJËSIT
Përfituesit e vërtetë nga skema e pensioneve të përfituara me anë të falsifikimit të dokumenteve në mënyrë masive pas vitit 2000 duket se kanë qenë ishpunonjës të ISSH-së. Sipas Prokurorisë, ka dyshime se këta ish-punonjës kanë orientuar qytetarë të ndryshëm që kishin shfaqur interes për pension.
Më saktësisht, dyshohet se ish-punonjësit e ISSH-së kanë orientuar qytetarët në lidhje me dokumentet konkrete që duhej të falsifikonin për t’u bërë përfitues të pensionit. Në këmbim të këtyre orientimeve apo edhe pranimit të dokumenteve pa i verifikuar ato, sipas rasteve të evidentuara deri tani, dyshohet se ishpunonjësit e ISSH-së kanë përfituar shuma nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë të rinj për rast.
Këto shuma, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë përfituar nga ana e ishpunonjësve të ISSH-së në formë ryshfeti, për “ndihmën” që u kanë dhënë qytetarëve përfitues të pensioneve të padrejta. Shuma e vjedhur në këtë mënyrë nga buxheti i shtetit llogaritet tepër e lartë.
ma.me