Urdhri i ekzekutimit detyron, nëpërmjet përmbarimit, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, për ta sistemuar Kosenin në punë dhe për t’i paguar detyrimet financiare që lidhen nga data 1 dhjetor 2015 e deri në momentin e ekzekutimit të vendimit të qershorit 2012, të gjykatës së Apelit Tiranë.
Edmond Koseni komentoi vendimin e gjykatës, duke theksuar se shpreson që ministri Tahiri dhe drejtori i policisë Haki Cako ta pranojnë në polici dhe të respektojnë vendimin. Ai deklaroi se policia shqiptare është e aftë të jetë si policia amerikane e gjermane, nëse punohet me ndershmëri.
Prej më shumë se 10 vite ish-komisari Edmond Koseni, është pezulluar nga detyra për shkak të një procesi penal kundër tij. Mirëpo edhe pse nga ky proces punonjësi i policisë doli i pafajshëm, ai sërish u la pas dore nga krerët e policisë së Shtetit, duke mos u lejuar të rikthehet në punë. Nisur nga kjo situatë, Koseni është detyruar të punojë në disa kompani private, ndërkohë paralelisht i është futur kalvarit të proceseve gjyqësore, duke kërkuar rikthimin në punë.
Edmond Koseni ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit dhe ka kryer së fundi detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan. Gjatë kryerjes së kësaj detyre, ndaj tij ka filluar një procedim penal, në të cilin ai është akuzuar të kish kryer veprën penale të “torturës me pasoja të rënda”, në bashkëpunim.
Në këto kushte, me urdhrin nr. 3727, datë 23 dhjetor 2001 të Ministrit të Rendit Publik, paditësit është pezulluar nga detyra deri në përfundimin e çështjes penale, me motivacionin “për shkelje të rënda në detyrë”.
Rezulton se në këtë procedim penal, ndaj paditësit është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”. Ndërkohë që kryeministri një ditë më pas në 21 dhjetor 2001 ka vendosur të largojë paditësin Edmond Koseni nga detyra.
Sa i përket procedimit penal, rezulton se me vendimin e nëntorit 2003 të gjykatës Elbasan, Koseni është deklaruar i pafajshëm për akuzën e “torturës” dhe është pushuar çështja penale, lidhur me akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”.
Pas marrjes së pafajësisë nga gjykata e Elbasanit, Koseni i ka kërkuar palës së paditur që t’a sistemojë atë në punë dhe në kushtet kur pala e paditur ka refuzuar këtë kërkesë, ai ka ngritur padinë objekt gjykimi.
Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë pjesërisht padinë, duke i njohur paditësit të drejtën e përfitimit të pagesës kalimtare. Ky vendim pasi është gjetur jo i drejtë nga gjykata e Apelit, është prishur nga kjo e fundit me arsyetimin se konkluzioni i gjykatës është rrjedhojë e një hetimi jo të plotë, mos analizimit të fakteve të caktuara, si dhe disponimit jashtë kërkimeve të pareshtruara në objektin e padisë.
Për këto arsye, gjykata e Apelit ka vendosur ta prishë vendimin dhe ta dërgojë çështjen për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sërish kalvari i gjyqeve ka filluar nga e para, ndërkohë që në qershor të 2012 në gjykatën e Apelit, Koseni ka fituar gjyqin.
Në rrethanat e fakteve të paraqitura, gjykata çmoi se heshtja e palës së paditur për ta sistemuar paditësin në detyrën e punonjësit të policisë së shtetit, duhet të kuptohet dhe trajtohet si refuzim për të zënë me punë paditësin, situatë kjo që nënkupton ndërprerjen e kontratës së shërbimit publik mes policisë së shtetit dhe paditësit. /shqiptarja.com