“Është më e mirë politika e zgjerimit, sesa politika e izolimit. Është koha që të hapen negociatat e Shqipërisë me BE-në. Do të mbajmë qëndrim si në herët e kaluara edhe në takimin e Dhjetorit”- deklaroi ministri hungarez, në konferencën e përbashkët me homologun shqiptar Ditmir Bushati.
Nga ana e tij, ministri Bushati theksoi se zbatimi i ligjit të vettingut do të zgjasë përtej dhjetorit, kur pritet vendimi i krerëve të vendeve të BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Kryediplomati shqiptar tha se procesi i vettingut mund të zgjasë 2/3 vjet.
“Ligji i vettingut do të ketë edhe impakt edukativ për të përmirësuar performancën e sistemit të drejtësisë. Zbatimi i ligjit të vettingut do të shkojë përtej dhjetorit. Eshtë një proces që sipas parashikimeve dhe përllogaritjeve të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë mund të shkojë 2-3 vjet. Eshtë e rëndësishme të bëhet i plotë. Skanimi të mos jetë paragjykues.”- deklaroi Bushati.
Ndër të tjera, Ministri Bushati u shpreh, se “në takimin me ministrin hungarez u diskutua për mundësinë për shtimin e projekteve të përbashkëta ekonomike. Qeveria hungareze ka një linjë krediti që synon të stimulojë kontakte konkrete mes bizneseve, por dhe projekte në fusha të ndryshme”.
“Muajt e ardhshëm do të fillojnë procedurat për zbatimin e projekteve në fushën e infrastrukturës. Dhe më erdhi mirë të dëgjoja sot që ka një interes të shtuar nga kompanitë hungareze për të qenë pjesë e këtyre investimeve. Ka pasur disa diplomatë që kanë qenë pjesë e shkollave hungareze. Dhe sot mësova që qeveria hungareze do të ofrojë bursa studimi për studentët shqiptarë. Ky është një lajm shumë i mirë”, -deklaroi ministri Bushati.