Liverpool po kalon ditë të bukura në krye të Premier League, por ndërkaq të mëdhenjtë e kontinentit janë të gatshëm t’i rrëmbejnë yjet. Barcelona synon brazilianin Philippe Coutinho, por trajneri Jürgen Klopp u mbyll derën katalanasve.
“Për momentin nuk më shqetëson asgjë, lojtarëve u pëlqen të qëndrojnë këtu dhe besoj se Coutinho ndihet shkëlqyeshëm te Liverpool”, thotë trajneri i të kuqve. “Të gjithë shpresojmë e mendojmë se e ardhmja e tij është këtu. Ai është vetëm 24 vjeç, ka ende shumë për të mësuar. Jam i bindur që për të është vetëm fillimi”.
Klopp i ka dalë në mbrojtje edhe kapitenit të Anglisë, Wayne Rooney, i fotografuar i dehur pas fitores 3-0 me Skocinë.
“Futbollistët mund të jenë të privilegjuar për paratë që fitojnë, por edhe ata njerëz janë. Të gjithë legjendat që kemi admiruar pinin alkool e cigare si dreqi. Sot kjo nuk ndodh shpesh. Për Krishtlindje isha unë vetë që u mbushja gotat lojtarëve dhe i nxitja të pinin. Mos harroni, ky brez futbollistësh është më profesionist se gjithë të tjerët”, thotë trajneri gjerman.
Gds/d.i.