Një dron me tritol, një pistoletë me gaz dhe dy armë zjarri automatike e pushkë janë armët të cilat do të përdoreshin në 3 atentate të sinkronizura mes tyre dhe ndaj stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, ku do të luhej ndeshja Shqipëri-Izrael.
Është Policia e Kosovës e cila për herë të parë hedh dritë mbi planin e të dyshuarve për lidhje me celulat e ISIS në Siri ku sipas tyre 23 personat e arrestuar në Kosovë e Shqipëri mbanin lidhje me Lavdrim Muhaxhirin.
Sipas planit të zbuluar nga Agjencitë e Inteligjencës në Kosovë e Shqipëri, ka rezultuar se sulmet do të kryheshin në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, në ambiente ku do të kishte prani tifozësh përgjatë fillimit të ndeshjes mes kombëtares izraelite e asaj shqiptare.
Për këto dyshime, për të cilat Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe ajo speciale në Kosovë po hetojnë, në pranga janë vënë 22 persona, 18 në Kosovë dhe 4 në Shqipëri.
Sipas përgjimeve, ka rezultuar se sulmet terroriste do të ishin të ngjashme me ato që ndodhën në Francë në nëntor të vitit 2015, nga ku mbetën 129 persona të vdekur.
Objektivat të cilat do të sulmoheshin ishin të parapërcaktuara ku dhe si do të sulmoheshin.
Po ashtu dhe ora ishte përzgjedhur, e cila duhet të përkonte pak minuta pas nisjes së ndeshjesh zyrtare Shqipëri-Izrael e vlefshme për kualifikuesit e botërorit Rusi 2018.
Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë është treguar e rezervuar për të bërë publike rolin e 4 shqiptarëve të arrestuar në këtë grup, ndërsa jo zyrtarisht është pranuar se celula me bazë në Shkodër do të kujdesej për të realizuar aktin e parë terrorist në stadium.
Plani për të realizuar aktet terroriste në Ballkan duke nisur nga Shqipëria, Kosova e më pas Maqedonia është zbuluar gjatë përgjimit të një bisede telefonike në gjuhën arabe dhe të koduar që Lavdërim Muhaxheri ka patur me adhuruesit e tij në Kosovë e Shqipëri.
Pas kësaj bisede të dyshuarit janë mbajtur në survejim nga policia për t’u arrestuar në operacione të ndryshme nisur nga 4 nëntor në Prishtinë e më pas më 6 nëntor në Shkodër.
Ja çfarë u sekuestroi policia, 22 të arrestuarve:
281 gr eksploziv i llojit TATP, që vlerësohet si një ndër eksplozivet më të rrezikshëm dhe më të ndjeshëm,
Rreth 2.5 kg substancë e përzier me lëndë shpërthyese në gjendje të kristaltë,
Një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62 mm,
Një pushkë gjuetie,
Një revole me gas,
Municion, 719 fishek të kalibrave të ndryshëm,
Një dron,
Radiolidhje,
Telefona celular,
Laptopë,
Shtëpiza kompjuteri,
USB,
Materiale dhe literaturë fetare nga autorë të njohur për ideologjinë e tyre ekstremiste.
Bllokim pronave të “imamëve”
Lënda eksplozive që do të shërbente për të shpërthyer në stadiumin e Shkodrës, gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael është sekuestruar nga policia e Kosovës pesë ditë përpara se të vihej në funksion akti terrorist.
Të mërkurën në mbrëmje, policia e Kosovës bëri të ditur të gjitha detajet e operacionit të saj, pak orë pasi zyrtarisht presidenti Thaçi pranoi zyrtarisht se kishte patur një plan për shpërthimin. Urdhrat, sipas burimeve zyrtare, do të kryheshin ndaj përfaqësuesve të Izraelit, si edhe tifozëve të tyre të ardhur në stadium. Plani ka qenë i detajuar se kush dhe kur do të sulmohej.
Sipas hetimeve të policisë, rezultonte se të 18 të ndaluarit në Kosovë merrnin urdhra nga dy luftëtarë të ISIS-it. Të ndarë në grupe, 18 të arrestuarit atje vepronin si celula të veçanta për të kryer aktin terrorist.
Pas përgjimeve, policia e Kosovës ndërhyri në kohë pesë ditë përpara planifikimit të këtij sulmi. Gjatë këtyre përgjimeve rezulton se nga Siria, nuk kishte udhëzime vetëm për këtë akt terrorist, por edhe për të tjera, për të cilat policia kosovare nuk ka dhënë detaje. Ata kanë marrë një masë sigurie për 30 ditë burg, derisa të konkretizohen të gjitha provat që disponon policia vendase atje. 2.5 kg eksploziv në gjendje të kristalte i gatshëm për shpërthim, ndërsa është kapur në një prej banesave të terroristëve, i cili do kryente sulmin edhe 281 gram eksploziv ndër më të rrezikshmit në qarkullim në botë, i llojit TATP.
Në valën e arrestimeve në Kosovë dhe rajon, në Shqipëri u prangosën katër të dyshuar si ndihmës të këtyre celulave, por që deri më tani nga hetimet nuk konfirmohet nëse ata ishin në dijeni të sulmeve.
Aktualisht ende nuk ka një akuzë të tillë për ta, por do të ishin mbështetës për të kryer këto sulme. Organet e akuzës dhe ato policore në Shqipëri nuk deklarojnë nëse katër të arrestuarit do të ndihmonin duke qenë në dijeni apo jo të sulmeve.
Ndërkohë që qeveria shqiptare në kuadër të luftës ndaj terrorizmit pak ditë më parë ka firmosur edhe shpalljen si financues të terrorizmit të imamëve të dënuar tashmë nga gjykatat shqiptare për terrorizëm.
Nëntë imamët që kanë marrë dënime të rënda në Shqipëri u janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare dhe emrat e tyre janë futur edhe në listën e zezë të OKB-së, si financues të terrorizmit. Vendimi nuk është bërë publik për shkak të sekretit shtetëror që përmban.
Tema/d.i.