Në një bashkëbisedim të hapur me banore të fshatit të Selenicës, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Kryetar të Bashkisë Kolonjë Ilia Stefo, ka prezantuar disa nga shtyllat e projekteve të tij për Kolonjën dhe fshatrat e saj.
Stefo, theksoi se Kolonjës i takon një vëmendje e veçantë për të realizuar ato investime që i kanë munguar në të kaluarën. Stefo është shoqëruar nga zv. Kryeministri Niko Peleshi dhe kryetari i Bashkisë Maliq, Gezim Topciu.
Teksa përshendeti banorët e Selenicës, zv. Kryeministri Peleshi tha se zgjedhja e Stefo për Bashkinë e Kolonjës është një zgjedhje që është bërë nga vetë banorët e zonës. “Bashkia është institucion i qytetarëve dhe me Stefo në krye Bashkia Kolonjë nuk do të këte dallime midis të majtëve dhe të djathtëve”, – tha Peleshi. Sipas tij Stefo di të shërbejë dhe të marrë kënaqësi nga shërbimi që ju jep njerëzve. “Bashkëpunimet mes bashkive të rajonit do të jenë një nga pikat kyçe të punës së Bashkisë Kolonjë në vazhdim, ndërsa nuk do të mungojë mbështetja që këto bashki do të marrin nga qeveria shqiptare për programet e tyre”, – u shpreh Peleshi.
Në vijim të takimit në Selenicë, Ilia Stefo premtoi se rruga e Selenicës do të përfundojë brenda vitit. Ai tha gjithashtu se investimet fillestare të Bashkisë do të jenë në kanalizimet e ujit të pijshëm dhe kanalet vaditëse, si dhe në infrastrukturën e të gjithë fshatrave të Kolonjës. “Me përkushtim dhe angazhim Kolonja do të konkurojë me dinjitet në tregun kombetar”-, përfundoi Stefo./a.m.