Programi balistik i Iranit nuk është i negociueshëm, konfirmoi zëdhënësi i ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme në përgjigje të një kërkese të 28 shefave të diplomacisë evropiane që Teherani të ndërpresë provat e tij.
“Provat balistike të Iranit që bëhen në kuadër të programit mbrojtës të vendit dhe kapaciteteve për mbrojtjen e Iranit nuk janë në asnjë mënyrë të negociueshme”, deklaroi Bahram Ghassemi, cituar sot nga televizioni kombëtar Irib.
Në një tekst të miratuar të hënën, krerët e diplomacisë së 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të mbledhur në Bruksel, ishin të shqetësuar për programin e raketave të Iranit duke e ftuar këtë të fundit të mos kryente prova të raketave balistike.
Irani ka zhvilluar ndjeshëm këto vitet e fundit programin balistik dhe ka kryer që prej një viti disa teste raketash, disa prej të cilave me një rreze veprimi prej 2 000 kilometrash duke shkaktuar reagimin e SHBA-së dhe vendeve evropiane.
Përveç të tjerave, Ghassemi përshëndeti vullnetin e Bashkimit Evropian për të zhvilluar marrëdhëniet me Iranin dhe kërkesën e bërë nga BE për të gjitha palët për aplikimin e plotë të marrëveshjes bërthamore mes Teheranit dhe fuqive të mëdha. /kp/a.m.