Bashkia e Tiranës ka filluar punimet për për krijimin e sheshit rekreativ dhe këndit të lojërave në Rr. “Sulejman Delvina”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Pandeli Majko, inspektoi punën e nisur për rikualifikimin urban të kësaj zone. Ai premtoi se rikualifikimi i kësaj hapësire do të përfundojë përpara festave të fund vitit.
“Jam shumë i lumtur që po fillojmë një kënd të ri lojërash. Kjo është si ato lojërat për fëmijë, ku ndoshta çdo copë në vetvete nuk duket se ka ndonjë rëndësi të veçantë, por kur copat bëhen bashkë, krijojmë fotografinë e një komuniteti që funksionon. Këtë kënd do ta përfundojmë përpara festave të Vitit të Ri. Jam mirënjohës që shumë kompani i janë bashkuar kësaj nisme, për të dhënë diçka mbrapsht në komunitet, dhe kur edhe ky kënd të ketë mbaruar te “Sulejman Delvina” do të kemi një hapësirë që do të mbledhë bashkë jo vetëm fëmijët, por edhe gjyshërit e prindërit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u bëri thirrje administratorëve dhe qytetarëve që, në rast se evidentojnë hapësira të tilla, të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës për t’i shndërruar ato në kënde çlodhëse.
“Më vjen mirë që pas gjithë atij sherri të madh te këndi i lodrave te Liqeni, jo vetëm që ai po shfrytëzohet maksimalisht, por ka filluar një trend në të gjithë Tiranën, për të pasur sa më shumë kënde të tilla”, tha Veliaj.
Ai u shprehu mirënjohjen kompanive për përgjegjshmërinë sociale që kanë treguar, duke kontribuar për përmirësimin e jetesës në kryeqytet. Deputeti i PS, Pandeli Majko vlerësoi punën e kryer deri më tani nga Bashkia e Tiranës, duke theksuar se edhe disa gjëra të cilat në pamje të parë duken shumë të vogla, flasin për vullnetin për të përmirësuar jetesën e qytetarëve.
“Jemi duke bërë një ndërhyrje, e cila ka të bëjë me cilësinë e jetës. Në fakt, për këtë komunitet nuk është thjesht një lulishte, është një ambient ku rrisin fëmijët, është ambienti ku kanë të lidhur kujtesën e tyre kolektive dhe mendoj se ky rregullim do të jetë në funksion të një ndryshimi, i cili dalëngadalë po troket edhe në të gjithë Tiranën”, tha Majko.
Punimet për rikualifikimin e sheshit rekreativ dhe të këndit të lojërave për fëmijët e Njësisë nr. 5, përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të gjelbërimit, parashikon edhe ndërtimin e infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur.
Ky është sheshi i 10 që fillon të ndërtohet, tre të tjerë janë proces përfundimi. Në këto muaj, priten të fillojnë edhe së paku katër sheshe të tjera, ai i Kombinatit, i Stadiumit Dinamo, i zonës së Ali Demit, si dhe fushat sportive dhe outdoor fitness tek Kodrat e Liqenit.
ma.me