“Shtetet anëtare të bashkimit Europian janë gati për të nisur në dhjetor negociatat për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. E kjo do të bëhet më datë 15-16 dhejtor me rastin e samitit të krerëve të shtetit e të qeverive të vendeve anëtare.”
Kështu ka deklaruar sot nga Brukseli, Ministri i Jashtëm italian Paolo Gentiloni, i cili po merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Jashtme.
“Jemi shumë të kënaqur për nismën e promovuar nga Austria dhe Italia, vende mike të Shqipërisë. Qëllimi është që në dhjetor të kemi një vendim të Këshillit Europian për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mendoj se në Shqipëri janë bërë shumë reforma dhe shumë progres. Progresi i këtyre reformave ishte konkluzioni i përbashkët në tryezën “Miqtë e Shqipërisë”. Ky është një lajm i mirë për procesin”, ka deklaruar Gentiloni.
Sipas Gentilonit “bëhet fjalë për një sinjal të rëndësishëm në një moment kur Europa ka nevojë për konfirmim të aftësive të saj gjithëpërfshirëse.”
“Fakti që ekzistojnë kushtet për diskutime me qeverinë e Tiranës, është një sinjal i mirë”, ka përfunduar në deklaratën e tij Ministri i Jashtëm italian./oranews/a.k