Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se pas takimit që ka patur në Bruksel mes grupit të miqve të Shqipërisë në Këshillin e BE-së, është folur me tonet më pozitive për çeljen e negociatave nga të pranishmit. Sipas Ramës në takim të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare kanë konfirmuar vullnetin e tyre për mbështetjen e një rekomandimi pozitiv për vendin, për hapjen e negociatave.
Më tutje, kryeministri ka shtuar se Vettingu mbetet një nevojë immediate, pasi është kushti i natyrshëm për ecurinë e këtij procesi.
BRUKSEL: PERGEZIME SHQIPERISE
Sapo përfundoi në Bruksel mëngjesi i punës me vëndet anëtare, iniciuar nga grupi i Miqve të Shqipërisë në Këshillin e BE-së, ku u fol me tonet më pozitive për Raportin e Progresit dhe u konfirmua vullneti i vendeve anëtare për mbështetjen e rekomandimit pozitiv të Komisionit për çeljen e negociatave per anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian😀👍
U nënvizua nga të gjitha vendet anëtare progresi i madh që pasqyrohet në Raportin e Komisionit; ecuria mbresëlënëse e reformave; respekti i veçantë për politikën rajonale të Shqipërisë; nevoja imediate për zbatimin e Ligjit të Vetingut si premisë e mirëkuptuar apo kusht i natyrshëm për ecurinë e këtij procesi historik🇦🇱🇪🇺
Falenderim i veçantë për Shefen e Diplomacisë Europiane Federica Mogherini dhe për Komisionerin Johannes Hahn, dy miq të posaçëm e partnerë të çmuar të Shqipërisë në këtë proces- shkruan Rama./java/a.k