Sytë dhe goja e njeriut kanë marrë pamjen e telefonit celular, të njohur si “Iphone”, që njihet si arritjet më me nam në fushën e teknologjisë.
Nëpërmjet metaforës, autori i posterit bardhezi, paralajmëron për rrezikun që sjellin teknologjitë e reja, shkruan “Koha Ditore”. Posteri me autor artistin e dizajnit grafik, Rrezeart Galica, është bërë pjesë e edicionit të nëntë të bienales ndërkombëtare të artistëve të posterëve në Pragë “Virtual Biennale Prague”, që sivjet ka bërë bashkë 378 artistë nga 31 shtete të ndryshme.
Ekspozita prezanton punën e tyre në dy kategori: profesionistët dhe studentët e artit, që sivjet janë gjithsej 65 pjesëmarrës.
I gjithë projekti është organizuar nga “Association of Applied Graphics, Graphic Design Studio I” i Fakultetit të Artit dhe Dizajnit në “Jan Evangelista Purkyně University “, dhe galeria “Altán Klamovka Gallery” në Pragë.
Edicioni i sivjetmë i kësaj bienale është realizuar rreth temës “E ardhmja”.
Në ekspozitën që do të hapet të martën e 15 nëntorit e që do të jetë e hapur deri më 10 dhjetor ekspozojnë artistë vizualë nga Algjeria, Austria, Indonezia, Italia, Irani, Irlanda, Meksikoja, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vietnami etj.
Mes tyre Kosova përfaqësohet me posterin e Galicës. Bienalja mbahet edhe virtualisht edhe në objektin e galerisë “Altán Klamovka Gallery” në Pragë.. (b.an)