Zbardhen detaje nga arrestimi i pjesëtarit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pasi prej kohësh shantazhonte një kolegen e tij, E.K. se do t’i publikonte një video intime.
Arrestimi u krye pas një hetimi disajavor ndaj efektivit të Ushtrisë, Gersian Dumi, i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një kolege të tij, shkruan “Panorama”. Ai fillimisht kishte kërkuar të kishte një raport me kolegen, por më pas kërkesat e tij ndaj të dëmtuarës kanë qenë të vazhdueshme dhe kanë arritur deri te kërcënimet.
Si mjet për të kërcënuar kolegen me iniciale E.K. mësohet se autori i ngjarjes ka përdorur pretendimin se kishte në zotërim një video intime të saj, të cilën do ta bënte publike, nëse ushtarakja nuk pranonte lidhjen me kolegun dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale.
E ndodhur nën kërcënime dhe shantazhe të vazhdueshme, ushtarakja me iniciale E.K. ka vendosur të drejtohet në polici dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të denoncuar rastin.
ARRESTIMI
Në komunikatën e Policisë ditën e djeshme thuhej se “Më datë 12.11.2016 u arrestua në flagrancë shtetasi G.D., vjeç 23, banues në Sauk, pasi dyshohet se me anë të një adrese ‘Facebook’-u false i kërkonte shtetases me iniciale E.K., banuese në Tiranë, të takoheshin në hotel për të kryer marrëdhënie intime, në të kundërt do të postonte video intime”.
Arrestimi ka ndodhur pikërisht në zonën e Saukut, ku shtetasi 23-vjeçar Gersian Dumi, anëtar i FA-ve, kërkonte të takohej me kolegen e tij në Ushtri. Qëllimi i takimit të autorit të ngjarjes me kolegen ishte kryerja e marrëdhënieve seksuale”, kanë bërë me dije burimet e hetimit të çështjes.
SHANTAZHI
Duke nisur prej dy muajsh më parë, autori i ngjarjes Gersian Dumi kishte filluar ngacmimet ndaj koleges së tij në Ushtri. Ai kishte hapur një adresë false në “Facebook” për të mos u identifikuar dhe kishte bërë ftesë për miqësi me kolegen me iniciale E.K. Më pas, ai ka biseduar disa herë me të dëmtuarën, të cilës i ka bërë edhe komplimente të ndryshme dhe në fund i ka kërkuar të takoheshin e të krijonin një raport seksual.
Duke qenë se e dëmtuara, efektive e Ushtrisë, ka kundërshtuar dhe ka vendosur të ndërpresë komunikimin, 23-vjeçari, sipas hetuesve, ka nisur ta kërcënojë. Ai ka pretenduar e kishte foto dhe video intime të koleges dhe e ka kanosur atë se, nëse nuk pranonte të kryente marrëdhënie seksuale me të riun, materialet intime do të bëheshin publike.
DENONCIMI
E ndodhur nën kërcënimet e ushtarit profesionist, shtetasja me iniciale E.K. ka shkuar në Polici dhe ka bërë kallëzim penal. Sektori i Hetimit të Krimeve Kompjuterike ka kryer procedurat e para të hetimit dhe në koordinim me policinë, ushtarja profesioniste ka lënë takim me kolegun.
Burimet zyrtare thanë se 23- vjeçari, Gersian Dumi, ka rënë në pranga pikërisht në zonën e Vilave Gjermane, ku kishte lënë të takohej me kolegen për të shkuar në hotel. Skenari i të riut ndryshoi kur në vend të koleges ushtarake që ngacmonte u përball me efektivat e policisë, që i vunë prangat dhe e shoqëruan në ambientet e izolimit./a.k