Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se nuk duhet krijuar iluzione se presidenti i zgjedhur i Amerikës, Donald Trump, do të bëjë mrekulli.
Në mesin e këtyre mrekullive që s’do të realizohen, Daçiç ka përmendur edhe faktin se Trump “nuk do t’ia kthejë Serbisë Kosovën” e as që do të derdhë dollarë në Serbi.
“Nga Donaldi nuk duhet të presim mrekulli. Jemi popull që lehtë fluturojmë dhe mendojmë se tani Amerika do të derdh dollarë në Serbi. Serbët menjëherë fluturuan dhe e “kthyen Kosovën”. Këto janë muhabete palidhje. Kosova është e jona, është serbe. Nuk duhet të shikojmë se kush çka do të na dhurojë, por që çdo ditë duhet të luftojmë për popullin tonë në Kosovë dhe t’i ruajmë ata serbë tanë, ndërsa Kosova është Serbi. Këtë po e bën kjo qeveri”, ka thënë për “Alo” ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, raporton Koha Ditore.
Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Serbisë nuk e di nëse me fitoren e Trumpit do të ndryshojë situata, por se shpreson në këtë.
“Më duhet të them se SHBA edhe më tutje do të vazhdojë të mbrojë interesat e veta sikurse që do të vazhdojë edhe Serbia t’i mbrojë të vetat. Një gjë që besoj se do të ndryshojë është zbutja e presioneve ndaj Serbisë dhe që në Washington do të fitojmë ndonjë tretman ndryshe, më të mirë nga ai që e kemi pasur me dekada”, ka theksuar Daçiç./a.k