Lidhur me situatën më të fundit në Greqi dhe shqetësimet mbi ndikimin që do të kishte në Shqipëri dalja e mundshme e Athinës prej Eurozonës, ka reaguar edhe Shoqata e Bankave Shqiptare.
Në një komunikatë shpërndarë për mediet, Shoqata përjashton ndikimin e drejtpërdrejtë të krizës greke në sistemin bankar shqiptar dhe siguron se sistemi në vendin tonë ka kapital të mjaftueshëm.
“Zhvillimet në Greqi nuk ndikojnë aspak te bankat tona. Bankat tregtare operojnë në Shqipëri si njësi të pavarura ligjore, nga banka mëmë, pra janë të pavarura nga sistemet e bankare të vendeve të tjera. Sistemi ynë bankar ka nivele të larta mjaftueshmërie kapitali”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.