Sting rihapi mbrëmë sallën e koncerteve në Bataclan, vendi ku një vit më parë u vranë 90 persona nga terroristë islamikë të armatosur.
Këngëtari britanik u tha spektatorëve, përfshirë edhe të mbijetuar nga ngjarjet e një viti më parë, se duhej të nderonin të vdekurit e të gëzonin jetën.
Para koncertit, u mbajt një minutë heshtje në nderim të 130 viktimave të shkaktuara në tre sulmet e koordinuara në Paris.
“Nuk do t’i harrojmë kurrë”, tha Sting në frëngjisht, duke iu referuar viktimave.
Bataclan ishte plot me shikues, të cilët mbërritën aty duke filluar që disa orë para koncertit, me një atmosferë dukshëm sfiduese karshi rrezikut terrorist.
Vetëm për një gjysmë ore u shitën një mijë bilet dhe të ardhurat e koncertit do t’u dhurohen dy fondacioneve të bamirësisë.
BBC/d.i.