Një nga të arratisurit më të kërkuar të Kinës është kthyer sot vullnetarisht nga Zelanda e Re, njoftoi agjencia kryesore kineze kundër korrupsionit. Yan Yongmin, një ish-shef i një kompanie ilaçesh, ishte në listën e 100 të arratisurve më të kërkuar të Kinës.
“Ai u dorëzua pas 15 vitesh në arrati në Zelandën e Re dhe Australi”, tha Komisioni Qendror i Kinës për Inspektimin e Disiplinës (CCDI) në një deklaratë. Yan u arratis në Australi në vitin 2001 dhe më vonë u bë shtetas i Zelandës së Re, pasi u akuzua për mashtrim dhe përvetësim gjatë kohës që ishte kryetar i grupit farmaceutik “Tonghua Golden Horse”, sipas raporteve të mëparshme të medias.