Dërgohet në gjyq me akuzën e gjobëvënies Julian Caka, vëllai i Lul Cakës, personazhit të njohur si “i forti” i Beratit vite më parë. Në datën 31 tetor 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen penale me të pandehur shtetasit Julian Caka dhe Gentian Kica, raporton “Panorama”.
Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, në bashkëpunim, kryer në dëm të një personi nga qyteti i Fierit. I dëmtuar nga vepra e gjobëvënies ka mbetur shtetasi me iniciale A.B., të cilit me anë të kanosjes dhe kërcënimeve të ndryshme i janë kërkuar 20 mijë euro.
Prokuroria ka administruar në dosje prova si përgjime nga komunikimet telefonike, që këta persona kanë pasur me njëri-tjetrin dhe filmime që vërtetojnë aktivitetin e tyre kriminal.
Më konkretisht, ata dyshohet se e kanë kërcënuar disa herë shtetasin me iniciale A.B., banues në Fier. Në lidhje me gjobëvënien, policia përmendi si të dyshuar më 28 maj 2016 edhe shtetasin Kelmend Kastrati, shënjestra e atentatit të 8 janarit 2016 në Fier, por emri i tij nuk rezulton në dosjen e dërguar në gjykatë.
GJOBËVËNIA E DROGA
Shuma prej 20 mijë eurosh që kërkonin autorët e gjobëvënies nga shtetasi me iniciale A.B., sipas denoncuesit të ngjarjes, kishte si motiv lëndën narkotike. Personat e arrestuar në fund të majit 2016, Julian Caka, 41 vjeç, banues në Lushnje, i dënuar më parë, dhe Gentian Kica, 39 vjeç, banues në Fier, kishin ruajtur banesën e shtetasit A.B., pasi ai jetonte në Greqi.
Në kallëzimin e bërë në Policinë e Fierit dhe më pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shtetasi i dëmtuar nga ngjarja ka pretenduar se A.B. nga Fieri, me banim në Greqi, u kishte lënë në ruajtje banesën e tij në Fier shtetasve Julian Caka dhe grupit të tij. Denoncuesi ka pretenduar se kur ka ardhur në banesë, ka parë se ajo ishte kthyer në një vend për mbajtje droge.
I dëmtuari ka pretenduar se e ka hedhur jashtë banesës sasinë e drogës, por të akuzuarit i kërkonin paratë për sasinë e mallit të humbur, duke i thënë se u detyrohej 20 mijë euro. Denoncuesi ka thënë se në fillim i kanë kërkuar 40 mijë euro, por më pas e kanë “ulur pazarin” në 20 mijë euro, duke e kërcënuar se do ta eliminonin fizikisht qytetarin nga Fieri, nëse nuk u paguante paratë që kërkonin. Sipas denoncuesit me inicialet A.B., sasia e drogës që ai kishte hedhur nga banesa ishte 15 kg kanabis.
HETIMI
Prokuroria nuk konfirmon versionin e dhënë nga denoncuesi, duke pohuar vetëm faktin se Julian Caka dhe Gentian Kica i kanë kërkuar të dëmtuarit 20 mijë euro. Kjo akuzë, sipas Prokurorisë, është verifikuar me anë të përgjimeve telefonike dhe materialeve të gjetura gjatë këqyrjes së 12 aparateve telefonike celularë që janë sekuestruar gjatë arrestimit të dy personave të dyshuar në Fier, në maj 2016.
Pas vendosjes në pranga të dy personave të pandehur, Gjykata caktoi masë sigurie edhe për shtetasit Kelmend Kastrati, por ai nuk figuron në emrat e të akuzuarve të dosjes së paraqitur nga organi i hetimit në Gjykatë pak ditë më parë.
ma.me