Projektbuxheti dhe paketa fiskale për vitin 2017 eshte miratuar neper komisione vetëm me votat e mazhorancës, pasi sipas opozitës, ky draft nuk është realist.
PREZANTIMI I BUXHETIT
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha para deputetëve se “buxheti 2017 është buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve. Buxheti i vitit 2017 vazhdon të mbështesë rritjen ekonomike prej 3.8%. Ai është buxheti i uljes drastike të borxhit, e çojmë nën shifrën e marrë në vitin 2013. Këtu duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura”. “Është buxheti i financimit të shtrirjes së rimbursimit dhe të mbulimit me kujdes shëndetësor dhe të 600 mijë të pasiguruarve në Republikën e Shqipërisë. Është buxheti që mbulon në mënyrë evidente pushtetin vendor. Është buxheti ku fillon financimi i reformës në drejtësi”, -tha Ahmetaj. Buxheti i shtetit është shoqëruar me paketën fiskale.
“Paketa fiskale ka disiplinim të procedurave fiskale, ka një ulje dhe heqje të tarifës doganore për një industri specifike. Më në fund e bëjmë të mundur edhe për shkak të suksesit të taksave dhe tatimeve, ka një përgjysmim të rentës për të gjithë grupin e metalorëve brenda vendit, që është në favor të industrisë vendase. Ka një korrigjim të akcizës për gazin e lëngët për përdorimin e makinave, me synim disiplinimin e përdorimit të gazit dhe të mbushjes së bombolave përtej vendeve të rrezikshme, por në vende të cilat janë të certifikuara, pra nga gazi i lëngshëm për makinat vetëm qytetarët nuk preken. Ulet akciza e duhanit të grirë të vendit, duke i dhënë një avancë prodhimit të vendit dhe, sigurisht, ka një kalendar disiplinimi të akcizës që s’ka të bëjë fare me nivelet. Nuk do të rritet akciza. Ka ulje për disa produkte, por jo, akciza e cigareve nuk do të rritet”, – tha ministri Ahmetaj.
QËNDRIMI I PD
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka deklaroi se nuk do të ishin prezentë dhe se këtë çështje ata ia kanë bërë të ditur një ditë më parë edhe administratës së Kuvendit. Sipas tij, PD-ja nuk mund të ishte pjesë e kësaj konference ku shpalosen vetëm mashtrimet dhe propaganda.
“Ne i kemi bërë me dije administratës që dje, që nuk do të jemi pjesë e kësaj konference, sepse kjo qeveri jo vetëm nuk qeveris, por vazhdon me paturpësi të bëjë propagandë show, dhe sot në këtë konferencë kërkojnë ta përdorin në mënyrën më të shëmtuar, për t’u bërë propagandë shqiptarëve, atyre që sot janë të mbytur në pikën e hallit, të dalin dhe në stilin e kryeministrit të tyre do t’u shesin përrallat e radhës për botën e mirë ku jetojnë dhe për mirëqenien e lartë që ju ka sjellë Rilindja. Për këtë arsye ne u larguam dhe u kërkuam që edhe ata që janë aty brenda të shkojnë të bëjnë detyrën e tyre dhe të mos rrinë aty të shesin përralla e t’u bëjnë propagandë shqiptarëve nga mëngjesi në darkë”, – tha Paloka.
REAGIMI I PS
Kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe deklaroi se: “Konferenca e Kryetarëve nuk ka nevojë për kuorum, nuk shkruhet kurrkund në rregulloren e Kuvendit kjo gjë, dhe natyrisht nuk është e domosdoshme të jetë kuorumi, mbi të gjitha, në një mbledhje ku nuk merren vendime. Vendimet i merr seanca plenare; ajo mbledhje është një mbledhje në traditën e procedurave parlamentare ku prezantohen buxheti i shtetit dhe paketa fiskale. Pastaj, kryetari i Komisionit të Ekonomisë i paraqet Konferencës së Kryetarëve projektkalendarin për diskutimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale. Për kalendarin është paraqitur sot, dhe natyrisht votohet në seancë plenare.
Pra është seanca plenare ajo që ka atributin për të vendosur mbi këtë çështje. Sa për pjesën tjetër, për të qenë në terren, më vjen keq, unë kam ardhur në mes të natës nga zona ime elektorale, ndërsa z. Paloka ka qenë në hotel, është e thjeshtë kjo gjë! N.q.se ka ndonjë gjë për të cilën kanë nevojë ata njerëz atje poshtë, është buxheti i shtetit, me qëllim që të gjitha ato vepra që janë financuar gjatë këtij viti dhe kanë dhënë efekte goxha të mira në pjesë të konsiderueshme të territorit për vaditje dhe kullim, normalisht do të vazhdojnë dhe të financohen në një situatë akoma më të mirë, që përballon reshje akoma më të mëdha sesa këto që kemi pasur vitet e fundit. Unë besoja që opozita do të ishte e interesuar për përmbajtjen e buxhetit”, – tha Braçe.
ma.me