Policia e Tiranës arrestoi autorin e plagosjes së aktivistit të shoqatës që evakuoi disa familje të prekura nga përmbytjet.
Agjentët e Komisariatit të Policisë Nr 4, kanë bërë të mundur kapjen e autorit kryesor i cili ishte shpallur në kërkim pasi plagosi me armë zjarri shtetasin V. P. më datë 08.11.2016.
Sot më 10.11.2016, kapet dhe ndalohet shtetasi:
• Marjus (Mario) Isaj, 24 vjeç, banues në Tiranë, për Veprën Penale të “Vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 79/e-22-25 i Kodit Penal
Lidhur me ngjarjen e datës 08.11.2016, ku në Rrugën “Myslym Keta”, ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi V. P., pranë Qendrës së Emergjencës në të cilën janë akomoduar familje të komunitetit Rom-Tiranë (Tufinë), sqarojmë se:
Ngjarja ka nisur lidhur me ndërtimin e një menze sociale të këtij komuniteti sëbashku me aktivistë, të Shoqatës “EKOVOLIS”, për banorët e përmbytur të zonës së Bregut të Lumit, të cilëve do tu shërbehej ushqim. Mirëpo në një moment ka lindur një debat dhe mosmarrveshje, ku motiv i kësaj mosmarrveshje dyshohet të ketë qënë, për mospritjen e personave të tjerë të këtij komuniteti nga zona e Bregut të Lumit në këtë ambient.
Në konflikt e sipër, shtetasi Marjus Isaj, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të shtetasit V. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, aktivist i Shoqatës “Ekovolis”, duke e plagosur atë në pjesën e shpatulles, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në Spitalin e Traumës.
Në këtë konflikti janë përfshirë shumë persona të komunitetit rome, të cilët janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta dhe si pasojë e tij, ka mbetur i dëmtuar në pjesë të trupit (brinjë), shtetasi B. B., 29 vjeç, banues në Tiranë, punonjës vullnetar në shoqatën “Ecovolis”.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes u konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– Një gëzhojë me kapsollë të goditur
– Një vegël pune sqepar
– Një telefon i markës “Nokia”
Nga veprimet e para proceduriale shtetasi Mario Isaj dyshohet të jetë ndihmuar për tu larguar nga vendngjarja, nga shtetasit rome, të identifikuar nga ana e policisë të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Më konkretisht:
1. E. M., 20 vjeç, banues në Tiranë.
2. K. K., 22 vjeç, banues në Tiranë.
3. F. S., 34 vjeç, banues në Tiranë.
4. F. A., 48 vjeç, banues në Tiranë (në qendremën e Romëve)
Të gjithë shtetasve të sipërpërmendur i janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për Veprën Penale të “Vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 79/e-22-25 i Kodit Penal./a.k.