Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka kërkuar nga liderët politikë të Kosovës që vendosjen e njerëzve nëpër poste ta bëjnë sipas meritave dhe jo sipas lidhjeve të tyre.
Në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ministri britanik ka thënë se një student i mirë që punon shumë, duhet të gjejë një vend pune dhe të mos lihet anash nga një student më i dobët që ka lidhje më të mira
“Njerëzit kanë të drejtë që të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e zgjedhur, ju duhet të flisni me ata dhe të dëgjoni shqetësimet e tyre.
Vendosja e njerëzve sipas meritës, do të thotë se nëse jeni student dhe punoni shumë duhet të gjeni një vend pune dhe nuk do të shtyheni anash me bërryla nga një kandidat i dobët që ka lidhje më të mira sesa ju.
Ne mbështesim krijimin e vendeve të punës dhe jam i zhgënjyer që nuk ka lëvizje për këtë gjë sepse unë doja të isha në qendrën e skijimit në Brezovicë dhe të dilja në pistë”, ka thënë Johnson.
Ish-prefekti i Londrës, ka thënë se Britania e Madhe dhe Kosova kanë sfida të përbashkëta. Sipas tij, Kosova duhet të luftojë terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin dhe krimin e organizuar. “Ne së bashku duhet t’i luftojmë këto”, ka thënë veç të tjerash Johnson, përgatiti Koha. (b.an)