Këshilli i Lartë i Drejtësisë hapi dje “garën” për pesë vende gjyqtarësh në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, si dhe për kreun e kësaj Gjykate.
Një ditë pasi Presidenti i Republikës dekretoi emërimin në Apel të gjyqtarëve që ushtronin funksionin në Shkallën e Parë, KLD miratoi kërkesën e ministrit të Drejtësisë për të shpallur vakante vendet e tyre.
Kërkesa u miratua nga anëtarët e pranishëm në një mbledhje që ka zgjatur vetëm 45 minuta. Në vendimmarrjen e Këshillit u përcaktua data 15 nëntor si data fundore e kandidatëve për të paraqitur kërkesa për pesë vendet vakante.
“Afati për të paraqitur kërkesë për në këtë vend vakant është deri më datë 15.11.2016”, thuhej në njoftimin zyrtar të KLD-së pas përfundimit të mbledhjes. Njëkohësisht, KLD delegoi gjyqtaren Enkelejdi Hajro për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetarit të Gjykatës së Tiranës dhe shpalli vakant pozicionin e drejtuesit të institucionit. Edhe për këtë vakancë, KLD ka përcaktuar afat për paraqitjen e kandidatëve deri më 15 nëntor.
Ky vendim vjen pasi ish-kryetari i kësaj Gjykate, Fatri Islamaj, ishte një nga pesë gjyqtarët e emëruar në Apelin e Tiranës. Në vijim të mbledhjes së djeshme, KLD ka shpallur vakant një vend pranë Inspektoratit të këtij Këshilli, i mbetur i lirë pas emërimit të Vojsava Osmanajt në Apelin e Shkodrës.
Dy ditë më parë, më 8 nëntor 2016, Presidenti i Republikës Bujar Nishani firmosi pesë propozimet e paraqitura nga KLD pas mbledhjes së 4 nëntorit për emërimin në Apelin e Tiranës të pesë gjyqtarëve dhe të gjyqtares Osmanaj në Apelin e Shkodrës. Në atë mbledhje, KLD propozoi për emërim në Apelin e kryeqytetit gjyqtarët Elona Stavri, Elbana Lluri, Fatri Islamaj, Asim Vokshi dhe Artur Gaxha.
Në momentin e propozimit, ata ushtronin funksionin në Shkallën e Parë Tiranë, ku gjyqtari Islamaj ishte edhe drejtues. Kandidatët u votuan pasi anëtarët e KLD-së u këshilluan me procesverbalin e testimit, raportin mbi rezultatet e pikëzimit të kandidatëve, tabelat e pikëzimit dhe raportet mbi shqyrtimin e tyre.
Në mbledhjen e parafundit, KLD transferoi në Apelin e Tiranës gjyqtarin Andi Civici, i cili ushtronte detyrën e gjyqtarit në Apelin e Vlorës./panorama/a.k