Deputeti socialist Taulant Balla intervistë nga Brukseli për Drejtoren e Informacionit në RTV Ora News, Ilva Tare.
Intervista
Tare: Zoti Balla, rekomandimi i kushtëzuar nëse ka progres të besueshëm dhe të prekshëm të proçesit të vettingut veçanërisht.
Balla: Të reformës në drejtësi në terësi dhe të proçesit të vettingut në veçanti.
Tare: Çfarë do të thotë për ju?
Balla: Kjo nuk është diçka e re, prej shumë kohësh tashmë e dimë që ecuria e implementimit të reformës në drejtësi dhe veçanërisht një prej dimensioneve më të rëndësishme sikurse është ligji për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, është një prej kushteve më të rëndësishme që Shqipëria ka jo për hapjen e negociatave por për gjatë gjithë proçesit të afrimit të saj me BE. Duhet të kuptoni që reforma në drejtësi dhe ecuria e saj janë dy prej kapitujve kryesorë që pas hapjes së negociatave Shqipëria do të ketë për të negociuar. Kapitulli 23 dhe 24 janë kapitujt më të rëndësishëm dhe më të vështirë, të cilat vendet që kanë qenë në një fazë të ngjashme me ne nuk i kanë adresuar ende. Por ne kemi një avantazh sepse krahasuar me vende që i kanë hapur negociatat sikurse është Serbia, këto dy kapituj konsideroj që ne jemi përpara. Unë nuk do të isha dakort me vlerësimin që kjo është hapje negociatash me kusht, përkundrazi po të shikoni dhe formulimin, vlerësohet ecuria e derimëtanishme e plotësimit të kritereve kyç dhe në pesë prioritetet kyç edhe funksionimi i sistemit të drejtësisë në terësi është një dimension i cili me ecurinë e proçesit të implementimit të reformës në drejtësi ka vlerën e vet të shtuar. Vlerësohet gjithashtu puna dhe reforma e kryer në administratën publike, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vlerësohet edhe mënyra sesi respektohen të drejtat e njeriut në Shqipëri. Kur të lexoni kapitujt e raportit, unë mendoj që ky është një ndër vlerësimet më të mira që Shqipëria ka marrë ndër shumë vite, sepse mbi 90% e të gjithë sektorëve të hulumtuar, Shqipëria ka bërë hapa pozitivë gjatë vitit të fundit dhe gjatë tre viteve të fundit.
Tare: Në Tiranë, PD po e shikon me skepticizëm, realisht thonë që nuk është hapje negociatash, është vetëm një rekomandim. Duhet Këshilli i Ministrave në dhjetor që të vendosë për hapjen e negociatave.
Balla: Këtu nuk thonë asgjë, më vjen keq.
Tare: A ka një tentativë nga mazhoranca për ta fryrë më shumë seç duhet këtë lajmin e rekomandimit të negociatave?
Balla: Jo, përkundrazi. Shqiptarët kanë një arsye të madhe sot për të qenë të gëzuar, janë momente historike, ndodh njëherë të vetme kur Komisioni i cili është struktura, institucioni i BE që ka të drejtën ekskluzive sepse përbëhet nga teknokratë, të studiojë një vend dhe të thotë ky vend po, ky është i përgatitur për të hapur negociatat me BE. Ky lajm ndodh sot. Gjithë përpjekja për të nxirë, për tu fshehur pas proçedurave. Është e vërtetë, nuk është organi vendimarrës, ky është organi që sugjeron, ky është ai doktori që mat temperaturën e një vendi dhe shëndetin politik, social dhe ekonomik të një vendi dhe thotë: Ky vend i plotëson kriteret për të hapur negociatat dhe sigurisht vendimarrja nuk është e Komisionit, është e vendeve që përfaqësohen në Këshill.
Tare: Ka gjasa ta marrim që këtë dhjetor rekomandimin për hapje negociatash?
Balla: Mendoj që Këshilli, i cili siç është parashikuar do mblidhet në dhjetor, ku mblidhet dhe gjithë argumentimi i vendeve anëtare, do të japin një lajm pozitiv për Shqipërinë. Ndërkohë e gjithë aleanca e atyre që janë kundër refromës në drejtësi në Shqipëri, e cila përfshin gjyqtarë të korruptuar, prokurorë të korruptuar dhe opozitën për fat të keq, duhet të heqë dorë nga bllokimi i implementimit të reformës në drejtësi. Ajo që kemi dëgjuar, e keni dëgjuar dhe ju, jo vetëm ligji për vettingun por edhe ligji që kaluam të enjten e kaluar në Kuvend për qeverisjen e gjyqësorit në Shqipëri, pritet të çohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është një strategji për ta vonuar reformën në drejtësi, por mesazhi që del sot, mesazhi që është dhënë sot nga Brukseli është i qartë, që duhet të hiqet dorë nga vonesat. Dhe fakti që përmes një prej dokumentave më të rëndësishme që BE përmes KE prodhon për vlerësimin e Shqipërisë, thotë që ndiqet me interes të veçantë, duhen rezultate të prekshme dhe të besueshme sa i përket proçesit të vettingut, tregon se jemi në një vëmendje të shtuar dhe kushdo që e bllokon këtë është kundër interesave europiane të Shqipërisë, përfshirë këtu dhe rolin shume negativ që luan opozita në bllokimin e proçesit të vettingut. Unë nuk e kuptoj çfarë shqetësimi, çfarë meraqesh.
Tare: Opozita nuk po e bllokon, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese për shkak të bindjes së saj që është antikushtetuese.
Balla: Çfarë meraku ka opozita që bllokon proçesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve? Kush janë prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar që kanë vënë pasuri të pandershme duhet të largohen nga sistemi i drejtësisë. Çfarë lidhje ka opozita me interesa kaq okulte brenda sistemit gjyqësor shqiptar? Ky është një problem.
Tare: Kjo është pyetje për opozitën, e cila e argumenton me faktin sesi do të bëhet ky skrinim.
Balla: Të gjithë shqiptarët e kuptojnë, e kanë kuptuar dhe këtu në Bruksel se opozita në Shqipëri, opozita që përfaqësohet nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha sepse ka një opozitë tjetër në Shqipëri ndoshta më të arsyeshme se këta por që nuk ndihen të përfaqësuar nga PD, që mendojnë që vettingu… Edhe brenda PD-së ka zëra mjaft elokuentë dhe mjaft të besueshëm që mendojnë që aleanca e PD me gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar e dëmton integrimin europian të Shqipërisë.
Tare: Çfarë ndodhi mes mazhorancës dhe opozitës në Komitetin e Stabilizim-Asociimit? A është një skenë e përsëritur këto vite? A i pranoni një pjesë të argumentave dhe shqetësimeve që ka PD? Që të jemi korrektë, zgjedhjet nuk kanë qenë kurrë të lira, të ndershme, kështu që shqetësimi i tyre qëndron. Problemi i kanabisit është pranuar dhe nga qeveria, edhe nga policia që ekziston. Dekriminalizimi është një proçes që nuk po ndodh me pritshmëritë që kanë dhe partnerët tanë.
Balla: Nuk ndodhi asgjë. Janë çështje që duhen zgjidhur në Shqipëri. Ajo që bën shumë keq opozita është që nuk di të ndajë interesat madhore të Shqipërisë me axhendën e ditës politike të partisë së vet. Këto janë dy çështje që duhen ndarë. Dje, sot në Bruksel raportet vlerësuese janë mbyllur.Pra me gjithë përpjekjen, deri në shndërrimin e një lëvizje kamikaze nga ana e ndonjë deputeti të caktuar të PD, raportet vlerësuese ishin mbyllur. Dhe me çfarëdo lloj argumenti nuk mund të bllokohej. Gjithë kjo lëvizje e PD për të kushtëzuar këtë rekomandim të Komisionit me argumenta të betejës politike të ditës nuk qëndrojnë. Bujrum, ditën e enjte në Kuvendin e Shqipërisë sigurisht është dita ku opozita ka të gjithë të drejtën e vetë të thotë argumentat e veta, por nuk mund të nxijë dhe lidhur me gjithçka thotë. Tani ti marrim me rradhë, zgjedhjet. Unë e mirëkuptoj, por PD ka qenë vetë në qeveri për tetë vite me rradhë dhe sigurisht të gjithë biem dakord që zgjedhjet e vitit 2011 ishin shumë më të këqia se zgjedhjet e vitit 2015, pra që Shqipëria ka një progres edhe në mënyrën sesi i administron zgjedhjet kjo është evidente, e shohin me sy dhe e dëgjojnë me veshë të gjithë shqiptarët.
Tare: Ka edhe një fakt, që 6 muaj para zgjedhjeve nuk ka bërë ende reformën zgjedhore që është rekomanduar që në 2015 dhe që është një nga rekomandimet kryesore të OSBE-ODIHR.
Balla: Më vjen keq që merr edhe një formë manipulimi publik, reforma, reforma, nuk kemi nevojë për një reformë të madhe.
Tare: E ka rekomanduar OSBE.
Balla: OSBE gjithmonë..
Tare: Është një pritshmëri, partitë politike nuk janë të kënaqura me sistemin, implementimin dhe kërkojnë ndryshime.
Balla: Të jeni të sigurt se nuk ka ndryshime sistemi zgjedhor dhe nuk po punohet për ndryshim të sistemit zgjedhor.
Tare: Për çfarë po punohet, nëse po punohet dhe pse po punohet paksa pa transparencë?
Balla: Ajo që duhet të kuptojmë është: Shqipëria ka një kod zgjedhor shumë të mirë, të bërë me një konsensus gjithëpërfshirës në 2012, ku një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur atëherë PD në mazhorancë dhe PS në opozitë. Ka disa rekomandime OSBE-ODIHR për tu trajtuar që nuk përbëjnë më shumë se 12-15 nene të kodit, në një kod që ka 200 nene. Por çështja themelore që propozohet nga raporti i OSBE-ODIHR dhe partnerët tanë këtu në PE, nuk pranohet nga PD. Ata që bërtasin kaq shumë për historinë e reformës zgjedhore, nuk pranojnë propozimin kryesor që është depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore, Komisionet në qendrat e votimit, Komisionet në nivel zona administrimi zgjedhor. Tani këtej vjen dhe bërtet se nuk po bëhet reforma zgjedhore, në Tiranë nuk pranon të adresosh rekomandimin primar që të ka dhënë OSBE-ODIHR, kjo minimalisht quhet hipokrizi dhe maksimalisht shkon në dëmtim të imazhit të një vendi. Një gjë është e sigurt, rezultati i zgjedhjeve të vitit 2013 dhe 2015, është një rezultat real. Nuk ka palë në Shqipëri që të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë të përmbushim, janë disa kritere të cilësisë së zgjedhjeve në aspektin e mirëadministrimit të zgjedhjeve. Unë jam dhe besoj që mirëadministrimi i zgjedhjeve nuk mund të bëhet nga trupa zgjedhore me përfaqësues politikë. Trupa zgjedhore të depolitizuara garantojnë cilësi të zgjedhjeve.
Tare: Kjo nuk ka gjasa të ndodhë për këtë vit.
Balla: Një çështje tjetër që gjeti të gjithë mbështetjen dhe habinë e madhe të shumë eurodeputetëve që u bënë pjesë e këtij diskutimi bazuar në propozimet që vinin për çështje të reformës zgjedhore në Shqipëri. Ne jemi i vetmi vend që ende nuk garantojmë votën për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë.
Tare: Se nuk e garantojmë dot as brenda territorit në cilësinë e duhur dhe me standarte të larta ende.
Balla: Ju jeni gazetare me shumë eksperiencë mos bëni vlerësim. Tërhiquni nga fakti që thoni nuk garantohet vota e shqiptarëve në Shqipëri.
Tare: Ka probleme votimi, votim familjar, intimidim.
Balla: Sigurisht, sapo u mbyllën zgjedhjet në SHBA dhe në mbyllje të proçesit zgjedhor kishte reklamime në disa shtete nga kandidati që fitoi zgjedhjet për zgjatje të proçesit, nuk u mbyll qëndra e votimit në kohë.
Tare: Meqë jemi këtu, si e shihni fitoren e Donald Trump?
Balla: Dua të jem shumë korrekt dhe i sinqertë. Unë personalisht si çdo shqiptar nisemi nga afeksionet dhe mirënjohja, ne shqiptarët e kemi shumë të vështirë, një pjesë e shqiptarëve se ka dhe shqiptarë e dredhin shumë shpejt, kemi një lloj mirënjohje të palëkundur për familjen Klinton dhe gjithçka që Presidenti Klinton bëri për ne shqiptarët.
Tare: Do ndryshojë diçka me Presidentin Trump dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA?
Balla: Unë jam shumë i sigurt që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA do të jenë po aq të forta, në historinë e SHBA ka plot Presidentë republikanë që kanë bërë shumë mirë për Shqipërinë, i fundit ndër ta ishte Xhorxh Bush junior, gjatë presidencës së të cilit Shqipëria arriti të marrë ftesën për tu pranuar në NATO dhe më pas u bë anëtare e NATO. SHBA dhe mënyra e qeverisjes së tyre është si një tren që ecën në shina shumë të sigurta dhe marrëdhëniet e tyre strategjike me Europën dhe aleatët e tyre, sikurse ndër ta është dhe Shqipëria, është po aq e sigurt.
Tare: Do të devijojë nga fokusi reforma në drejtësi.
Balla: Drejtuesit dhe Presidenti i SHBA janë si mashinistët e një treni që thjesht rrisin ose ulin shpejtësinë e trenit, por treni vazhdon në shina të sigurta.
Tare: Do të shfokusohet pak vëmendja ndaj reformës në drejtësi? Partnerët amerikanë e kanë pasur në qendër të punës së tyre.
Balla: Një mik i Shqipërisë që ndodhet në Shqipëri sikurse është Ambasadori Lu ka garantuar dhe sigurisht Ambasadori është niveli më i lartë përfaqësues i një vendi në një vend tjetër në të cilin përfaqësohet, ka garantuar që sigurisht nuk ndryshon asgjë në këtë marrëdhënie, fokusi jo vetëm i SHBA por edhe BE. Për Shqipërinë sot është një ditë shumë historike për shkak se sot ftohemi, rekomandohemi zyrtarisht për të qenë një vend anëtar i BE. E kemi marrë statusin e vendit kandidat, por tani hapim librin e madh të negociatave të cilat nëse opozita do të dijë ti kuptojë, nuk do ta kishte kundërshtuar por përkundrazi do të kishte qenë pionere e përçimit të mesazhit që Shqipëria ka nevojë ta marrë rekomandimin për hapjen e negociatave sepse hapja e negociatave është si një shkollë ku çdo kapitull me rradhë, ka kapitull të veçantë për sa i përket funksionimit të sistemit demokratik në vend. Dhe çështje që lidhen me zgjedhjet janë pikërisht pjesë e këtij kapitulli dhe monitorimi nga ana e BE në këtë fazë të proçesit të integrimit është më i imtësishëm sesa në fazat e tjera.
Tare: Koalicioni qeverisës do të rikonfirmohet për zgjedhjet e ardhshme?
Balla: Kjo është një vendimmarrje që u takon liderve politikë të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Unë këtu nga Brukseli dua të them se jam shumë krenar për reformat shumë të rëndësishme që aleanca jonë nën drejtimin e PS ka ndërmarrë në këto tre vite dhe jam besimplotë që kjo aleancë do të marrë një besim edhe më të fortë në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm nga qytetarët shqiptarët.