Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama mesditën e kësaj të mërkure, progres-raportin e BE për Shqipërinë. Sipas saj, këto arritje bindën Komisionin Europian që t’i rekomandojë Shqipërisë çeljen e negociatave.
“Uroj popullin shqiptar për këtë arritje të madhe. Rekomandimi i sotëm është një hap tjetër i madh përpara në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. BE do vazhdojë t’ju mbështesë në të gjitha reformat“, tha Vlahutin.
Vlahutin tha se këtë vit Shqipëria ka shënuar progres në rreth 95% të çështjeve, ndërsa theksoi domosdoshmërinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kemi parë progres në thuajse 95% të çështjeve. Nuk kemi pasur hapa pas në asnjë prej kapitujve. treguesit ekonomikë po ashtu janë të mirë, tregu financiar është i prekshëm. Zbatimi i reformës në drejtësi presim të ketë një ndikim pozitiv për ndikimin e mjedisit. Ka dyfishim të përpjekjeve për përparuar më tej. Thelbi i çështjes është sundimi i ligjit e duhet të ketë përpjekje në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dënimin e zyrtarëve të lartë, luftës kundër kultivimit të kanabisit.
Në kapitullin e politikës së jashtme dhe sigurisë, Shqipëria shkëlqen. Vendi juaj është një partner i rëndësishëm, besnik dhe kontribuues për stabilitetin në rajon”, vlerësoi Vlahutin.
Ndersa Kryeministri deklaroi se pavarësisht se dukej një mision i pamundur, Shqipëria ka marrë sot rekomandimin për çeljen e negociatave duke theksuar ‘pa kushte’. Sipas Ramës, ka vetëm një mirëkuptim që deri në tryezën e negociatave të vijojë puna për zbatimin e refomrës dhe konkretisht vettingut.
“Kur erdhëm në qeveri Shqipëria ishte refuzuar 3 herë rresht. Vendi ynë e mori statusin dhe sot pas 2 vitesh, Shqipëria sapo ka marrë rekomandimin e KE-së për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. 3 vjet më parë kjo arritje kaq domethënëse dukej një mision i pamundur brenda mandatit tonë të parë qeverisës. Por axhenda jonë reformiste dhe një betejë e paepur për të çuar përpara reforma rrënjësore, të rënda dhe me kosto në çdo sektor, ja ku na ka dhënë të drejtë edhe ndërkombëtarisht. KE e ka vlerësuar aq pozitivisht progresin e bërë sa ka ndezur dritën jeshile për hapjen e negociatave. Kazani i broçkullave zhurmoi me të madhe për kushtet që do t’i viheshin, madje edhe për kanabisin se do të vihej kusht. Dy ditë më parë dolën hapur kundër rekomandimit për hapjen e negociatve. Shqipëria e ka marrë pa kushte rekomandimin, por me mirëkuptimin e natyrshëm që deri në ulejn në tryezën e negociatave të vijojë puna për zbatimin e reformës, konkretisht vettingut”, deklaroi Rama.
ma.me