Lumi Zezë është kërcënimi më i madh për Fushë-Krujën. Mjaftuan 2 orë shi që lumi të dalë nga shtrati e të rrëmbejë gjithçka gjen përpara, duke përmbytur qindra familje. Vërshimi shembi edhe muret e banesave pranë.
Familja e Ramazan Kasapit është përmbytur për herë të katërt. Por këtë herë forca e ujit ka shembur derën prej hekuri dhe murin rrethues të shtëpisë. Familjarët tregojnë orët e panikut kur uji ka përfshirë gjithçka, ndërsa ata kanë menduar vetëm të shpëtojnë fëmijët sepse për sendet shtëpiake tashmë nuk flitet.
E tillë situata është edhe në familjen Kulla e cila nuk ka gjetur, një motopompë për të tërhequr ujin, ndërsa ankohen se askush nuk i ka ardhur në ndihmë në të tilla raste.
Banorët e Fushë-Krujës nuk presin dëmpshërblime por kërkojnë sistemimin e këmbëve të urave mbi Lumin Zezë, pasi sipas tyre janë bërë pengesë për rrjedhjen e ujit, që për pasojë përbën rrezik serioz për fryrjen dhe daljen e tij nga shtrati.
E njëjta situatë problematike është shënuar edhe në dalje të Milotit, ku disa familje duket se do ta kalojnë këtë dimër në prani të ujit. Edhe më herët familja Tafa dhe Lleshi janë ankuar se askush nuk ka marrë masa për t’i ndihmuar ndërsa reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në Shullaz të Kurbinit./tch/a.k